A ndihmoi Amerika në rrëzimin e qeverisë reformiste të Kosovës?

Një cep i brishtë i Ballkanit sapo u bë më pak i qëndrueshëm.

Nga The Economist
A ndihmoi Amerika në rrëzimin e qeverisë reformiste të Kosovës?

Kishte vetëm 51 ditë në detyrë dhe epidemia e Covid-19 u përdor për ta rrëzuar. Më 25 mars, një shumicë e madhe e deputetëve në parlamentin e Kosovës votuan për ta rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit, një reformator i betuar. Deputetet mund të kenë qenë duke kryer porosinë e Amerikës.

Administrata e Donald Trampit e donte kryeministrin e pabindur të mos u zinte rrugën drejt marrjes së meritave për arritjen e paqes në Kosovë, në një sukses (të rrallë) të pretenduar të politikës së saj të jashtme përpara zgjedhjeve presidenciale. Miqtë e kësaj administrate ia përmbushën dëshirën.

Kurti ka kaluar më shumë se 20 vjet si udhëheqës protestash. Pas zgjedhjeve të tetorit të kaluar, u deshën muaj për të lidhur një koalicion me partinë e dytë më të madhe në parlament, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ndërkohë, kundërshtari i tij i hershëm, Presidenti Hashim Thaçi, kishte qenë duke biseduar me udhëheqësin e Serbisë, Aleksandar Vuçiçin, për një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova, popullisa e së cilës është kryesisht shqiptare etnike, ishte një provincë e Serbisë deri në luftërat ballkanike të viteve 1990. Serbia kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e saj, megjithëse shumica e vendeve të BE-së dhe shumica e anëtarëve të OKB-së e kanë bërë një gjë të tillë.

Kur erdhi në pushtet, Kurti njoftoi se tani do t’i merrte ai përsipër bisedimet, dhe se ishte kundër çdo shkëmbimi territoresh me Serbinë, gjë të cilën Thaçi mendohet se ka diskutuar si çmim për paqen. Vuçiçi atëherë tha se ai do të bënte një marrëveshje vetëm nëse hiqeshin tarifat për mallrat serbe.

Kurti ishte dakord me këtë, por vetëm në bazë të “reciprocitetit”, që do të thotë se në vend të tarifave, mallrat nga Serbia do t’i nënshtroheshin pengesave jotarifore në të njëjtën formë që Serbia trajtonte mallrat nga Kosova.

Për Serbinë është e papranueshme të heqë pengesat ndaj mallrave nga Kosova, pasi beson se një veprim i tillë do të nënkuptonte njohjen e vendit. Kështu që propozimi u refuzua me shpejtësi nga Riçard Grenelli, kreu në detyrë i inteligjencës amerikane, i cili po mbikëqyr bisedimet e paqes. Ndihma financiare amerikane u pezullua. (Thaçi dhe amerikanët mohojnë se mbështesin çfarëdolloj shkëmbimi territoresh.)

Javën e kaluar qeveria e Kurtit u rrëzua në parlament, në një procedurë që gjoja u provokuar nga një mosmarrëveshje rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të Covid-19, e cila do t’i jepte presidentit shumë kompetenca shtesë. Përkrahësit e Kurtit u hidhëruan. Ata besojnë se Kurti ishte shansi i tyre i vetëm për të hequr qafe udhëheqësit e korruptuar dhe komandatët e luftës që i përkasin të shkuarës.

Tani do të vijojnë disa javë grindjesh. Po të mos ishte për virusin, mund të ishin thirrur zgjedhjet e parakohshme. Një cep i ndarë dhe i paqëndrueshëm në Evropë tani është bërë edhe pak më i pasigurt.

 

Ky artikull u botua në gjuhën angleze në The Economist. Përkthimi nga Exit News.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>