Ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj i bëri sot thirrje qeverisë të marrë masa kundër hyrjes së koronavirusit në Shqipëri.
Përmes një statusi në Facebook, Zoti Shehaj shkruan se në Itali epidemia nisi disa ditë pasi i infektuari i parë hyri në Itali. Ai fillimisht nuk kishte asnjë shenjë, por brenda dy javësh numri i personave të prekur shkoi në 5880 persona, duke bërë që sot Italia të vendosë në shtet rrethim rajone të tëra.
I njejti skenar mund të ndodhë dhe në Shqipëri, ku i prekuri i parë mund të mos ketë simptoma për disa ditë me radhë dhe duke takuar njerëz të tjerë si normalisht, t’ia transmetojë atë shumë personave.
Për këtë arsye, ish-deputeti shprehu shqetësimin se në Shqipëri qeveria nuk po merr masat e nevojshme për të parandaluar koronavirusin:
“Italia është në një gjendje emergjence të paprovuar, ka shpallur shtetrrethiminn e rajoneve të tëra për të kontrolluar në menyre të dëshpëruar epideminë që nuk ndalet, të prekurit rriten me mbi 1000 raste në ditë dhe spitalet po shkojnë drejt kolapsit nga numri i lartë i pacientëve.
Ndërsa në Shqipëri, qeveria duket se ka rënë në gjumë për rrezikun e koronavirusit që i vjen nga Italia dhe ka kthyer në prioritet refugjatët sirianë e jo qytetarët e vet.
Në Itali, epidemia nisi para rreth 2 javësh, pasi hyri i infektuari i parë, dhe para se të shpërthente në mënyrë masive nuk dha asnjë shenjë. Duhet ti lutemi Zotit që kjo gjë të mos ndodhë në Shqipëri, por duhet t’i bëjmë presion qeverisë të mbajë gjithë vëmendjen tek parandalimi i futjes së virusit në Shqipëri.
Shqetësimi im mund t’i duket dikujt i ekzagjeruar, por nëse sot marrim masat e duhura mund te shmangim nje tragjedi.”