Albin Kurti Kryeministër: Për Kosovën nis kapitull i ri

Nga Exit News
Albin Kurti Kryeministër: Për Kosovën nis kapitull i ri

Me 66 vota “pro”, koalicioni qeverisës Vetëvendosje-Lidhje Demokratike e Kosovës mori sot votëbesimin në parlament për të drejtuar Kosovën për 4 vitet e ardhshme.

Qeveria do të drejtohet nga Albin Kurti. Në formim, ajo mori 10 vota abstenim dhe bojkot nga opozita.

Pas betimit të qeverise, Kryeministri Kurti tha se “nga sot fillon një kapitull i ri për Kosovën”.

“Sot, nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kanë fituar qytetarët e Kosovës. […] Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme. Sot mbaron rruga e vjetër e klientelizmit dhe e pabarazisë. Nga sot ka një lidership te ri që do të kujdeset për shtetin. Sot fillon edhe një kapitull i ri për politiken e jashtme”

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, uroi formimin e qeverisë përmes një postimi në Twitter duke theksuar se bashkëpunimi me institucionet do të vazhdojë.

“[Pres] të bashkëpunojmë me të gjitha instititucionet e Kosovës, palët tjera, shoqërinë civile, për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin si dhe për të ndihmuar ndërtimin e një marrëdhënie paqësore me fqinjët”.

Qeveria Kurti do të ketë 15 ministri, 6 prej tyre i drejton Vetëvendosja, 6 LDK-ja dhe 3 minoritetet. Gjithashtu ajo do të ketë dhe 2 zv/kryeministra si dhe 33 zv/ministra.

Kurti premtoi se buxheti do të arrijë 3 miliardë euro. Premtoi mbrojtje të punëtorëve me synimin e respektimit të 8 orarëshit gjë për të cilen tha se do te angazhonte numër më të lartë inspektorësh të punës.

Kurti u shpreh se qeveria nën drejtimin e tij do të luftojë korrupsionin, do të nisë proces vetting-u të përgjithshëm dhe u zotua që shërbimi ushtarak në Kosovë do të jetë i detyrueshëm, për një kohëzgjatje prej 3 muajsh. Në aspektin politik, Kurti tha se është i gatshëm të drejtojë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës.

Opozita e re, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma e kritikuan programin e Kryeministrit Kurti dhe bojkotuan votimin.

LDK mori postin e Kreut të Kuvendit, i cili do të drejtohet nga Vjosa Osmani dhe në negociata u ra dakord që për Presidentin të bisedohet në kohën kur t’i përfundojë mandati Hashim Thaçit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>