Ambasada Amerikane në Tiranë ndaloi deri më 3 prill të gjitha intervistat e paracaktuara për viza të përkohshme jo-emigruese.
Në një postim në Facebook, Ambasada deklaroi anulimin e të gjitha aktiviteteve dhe mbledhjeve ardhshme publike deri në 3 Prill 2020.
Për të shmangur përhapjen e koronavirusit ajo njoftoi se ka:
“[…] kufizuar grumbullimet publike dhe [nxitur] praktikimin e largësisë midis personave, Ambasada e SHBA ka anuluar të gjitha intervistat e paracaktuara për Viza Jo-Emigruese deri më 3 prill, 2020.”
Ambasada thotë se gjatë kësaj kohe, për vizat jo-emigruese do të pranojë vetëm takimet urgjente ndërsa:
“[…] procesimi i vizave emigruese dhe shërbimet për qytetarët amerikanë do të vazhdojnë pa ndërprerje.”
Vizat jo-emigruese janë vizat turistike, vizat për punë e biznes, trajtime mjekësore apo dhe akademike.
Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për 30 ditë fluturimet me 26 shtete të Evropës.