Ambasada amerikane vazhdon keqinformomin për reformën në drejtësi, tjetër video propagandistike

Ambasada amerikane vazhdon keqinformomin për reformën në drejtësi, tjetër video propagandistike

Gjykata Kushtetuese do të krijohet së shpejti. Këtë pohim ka bërë sot ambasada amerikane në Tiranë—një refren që ajo vazhdon të përsërisë pa asnjë rezultat prej të paktën një viti.

Në kushtet e paralizës totale të sistemit të drejtësisë, veçanërisht asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, si dhe në mungesës të çfarëdo lloj rezultati në luftën kundër korrupsionit nga drejtësia e reformuar, opinioni publik po humbet besimin tek reforma në drejtësi, duke e perceptuar atë gjithnjë e më shumë një reformë e bërë vetëm për t’i shërbyer Kryeministrit Edi Rama.

Për të frenuar humbjen e besimit publik përfaqësuesit e shteteve dhe organizatave që ishin autorët e reformës janë përfshirë në një fushatë të ethshme propagandistike për të bindur publikun shqiptar se çdo gjë shkon mirë dhe reforma është e suksesshme.

Për këtë qëllim, ambasada amerikane në Tiranë ka bërë publike javët e fundit një seri videosh propagandistike për të lëvduar reformën. Më e fundit në këtë seri ishte një video e bërë publike dje në lidhje me riformimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Së shpejti Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të jetë në gjendje t’i dërgojë listën Presidentit, i cili ka radhën i pari, të zgjedhë një gjyqtar të ri me këtë sistem. Presidenti do të ketë mundësi të zgjedhë cilindo gjyqtar nga lista me tre persona të kualifikuar dhe kështu mund të fillojë të rindërtojë Gjykatën Kushtetuese. Sapo ta bëjë këtë, vendet e tjera do të plotësohen nga Parlamenti dhe nga Gjykata e Lartë.”

Kështu pohohet në videon e publikuar sot në faqet zyrtare të ambasadës në rrjet. Videoja përshkruan procedurën për ngritjen e GJK-së, e cila, sipas ambasadës, pritet të ngrihet “së shpejti”.

Të njejtën gjë, “së shpejti” pohoi edhe e ngarkuara me punë e SHBA-bë në Tirana Layla Moses-One në fillim të korrikut. Më herët, Matthew Palmer, diplomati i ngarkuar me Ballkanin në Departamentin e Shtetit, kishte pohuar se GJK do të ngrihet pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Por sikurse edhe në videot e tjera të mëparshme propagandistike, me gjithë dashamirësinë e saj, ambasada amerikane keqinformon në pohimin se Gjykata Kushtetuse do të krijohet “së shpejti”.

Në fakt kjo Gjykatë nuk mund të krijohet dot fare më duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, pasi reforma e keqplanifikuar dhe keqzbatuar ka hyrë në një rreth vicioz institucional nga i cili dilet vetëm duke ndryshuar ligjet në mos Kushtetutën. (Kryeministri Rama dhe burokratët të huaj flirtuan për një farë kohë për krijimin e Gjykatës duke shkelur Kushtetutën).

Reforma në drejtësi parashikoi që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vazhdonin të kryenin detyrën e tyre deri në mbarim të mandateve të tyre dhe të zëvendësoheshin pastaj njëri pas tjetrit, me rregullat e reja të pas reformës, sipas krijimit të vakancës.

Reforma ka parashikuar që nga nëntë anëtarët e GJ tre anëtarë emërohen nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e lartë.

Kushtetuta (neni 179) përcakton se vakancat e krijuara në GK plotësohen, njëra pas tjetrës, sipas një rendi të mirëpërcaktuar ; i pari (boshllëk) që krijohet plotësohet me kandidaturë që zgjidhet nga Presidenti, i dyti nga Parlamenti dhe i treti nga Gjykata e Lartë.

Procedura e zgjedhjes parashikon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, vlerëson dhe rendit të gjitha kandidaturat që kanë aplikuar për një vend vakant të shpallur nga institucioni përkatës (Presidenti, Kuvendi apo Gjykata e Lartë) dhe ja dërgon institucionit përkatës për t’i zgjedhur. Nëse ky institucion nuk arrin të zgjedhë ansjërin brenda një muaji, kandidati i renditur i pari nga KED quhet i zgjedhur.

Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së KED për mbi dy vjet e gjysëm, dhe kombinimit të mbarimit të mandateve dhe largimeve të vetingut, Gjykata Kushtetuese ka mbetur pa asnjë anëtar. Si rezultat, janë shpallur tre vakanca nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre Gjykata e Lartë. Në vendimin datës 05.04.2019 KED vendosi të pezullojë verifikimin e kandidaturave që do të vinin nga GJL.

Siç kemi shpjeguar në një artikull të mëparshëm, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka renditur gjashtë kandidatura që kanë aplikuar për GJK, për vendet e shpallura bosh nga Presidenti dhe Kuvendi. Procedura kërkon që lista t’i dërgohet fillimisht Presidentit, i cili duhet të zgjedhë një anëtar të GK (ose nëse nuk zgjedh brenda një muaji, i pari i listës quhet i zgjedhur). Pastaj lista i dërgohet Kuvendit, i cili gjithashtu duhet të votojë për të zgjedhur një anëtar brenda një muaj (ose nëse nuk zgjedh brenda një muaji, i pari i listës quhet i zgjedhur). Kështu zgjidhen dy anëtarët e parë të GJK së reformuar.

Por këtu procesi ngec, pasi sipas Kushtetutës anëtari i tretë duhet të zgjidhet nga Gjykata e Lartë. Gjykata e Lartë tashmë është jashtë funksionit, që prej marsit të këtij vitit, dhe nuk ka asnjë mundësi për të zgjedhur anëtarin e tretë të GJK, sipas rradhës të përmendur më sipër.

Madje situata rëndohet, pasi për shkak të pezullimit të verifikimit të kandidaturave nga Gjykata e Lartë dhe mungesës së kandidatëve, pengohet vlerësimi i kandidaturave për anëtarët e GJK që do zgjidhen nga Gjykata e Lartë.

Kushtetuta është e qartë ku shprehet se “rradha [për emërimin e anëtarëve të GJK] ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”. Kjo do të thotë se anëtari i tretë duhet të zgjidhet nga GJL në mënyrë që të vijojë plotësimi i të gjitha vendeve bosh. Kështu GJK do të mbetet në rastin më të mirë me dy anëtarë deri në krijimin e GJL.

Mungesa prej dy vitesh e GJK është histori e dështimit spektakolar të një reforme, e cila ndonëse ishte e domosdoshme dhe kishte qëllime të mira, u shkatërrua në procesin e zbatimit nga paaftësia në planifikimin e saj, por edhe përpjekjet e qeverisë për kapjen e sistemit të drejtësisë.

Pasi u bë e qartë se reforma ishte planifikuar dhe projektuar keq, në vend që të reflektonin dhe ndryshonin përmbajtjen e saj, diplomatët perëndimorë në Tiranë të përfshirë në hartimin e saj, vendosën të fshehin dështimin me anë të togfjalëshin “së shpejti”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>