Ambasadave e SHBA-ve deklaroi se reforma në drejtësi duhet të mbetet e paprekur, pavarësisht ngjarjeve të fundit.
Në një postim në faqen zyrtare, ajo shkruan:
Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por është e nevojshme. Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi.
Ky reagim i SHBA-ve mund të përkthehet thjeshtë;
Pavarësisht se anëtarët e insitutcioneve të vetingut, u zgjodhën në kundërshtim me ligjin, procesi duhet të vazhdojë, ata mund të zëvendësohen dhe reforma nuk duhet prekur.
Të dielën Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci. Ai akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi fshehu shkarkimin nga detyra në vitin 1997.
Përveç Dacit, një tjetër anëtar i KPA-së, Ardian Hajdari është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Hajdari gjithashtu është akuzuar se ka deklaruar që ka punuar si avokat, për të plotësuar kushtet e zgjedhjes në KPA, por nuk ka qenë i regjistruar në organet tatimore si i tillë, që do të thotë ose ka gënjyer për punën ose ka kryer evazion fiskal. Gjithashtu, ai akuzohet se nuk flet gjuhën angleze pasi nuk ka paraqitur asnjë dokument të kërkuar për të dëshmuar njohuritë e tij.
Ditët në vijim, një tjetër anëtar i komisioneve të Vetingut pritet të kallëzohet në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Alma Faskaj, komisionere pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) është shkarkuar si gjyqtare në vitin 1996 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi, fakt të cilin e ka fshehur.
Nëse Daci apo çdo njëri prej tyre dënohet, të gjitha vendimet e vetingut ku ata ka qenë pjesë bëhen të pavlefshme e duhet të ribëhen—jurisprudenca e GJENDJ ka vendosur se ligjshmëria e një procesi është e cënuar nëse gjyqtari, i cili ka dhënë vendimin, është zgjedhur në mënyrë të paligjshme.