I dërguari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell u takua sot me kryen e Vetëvendosjes Albin Kurti, si fituesi i zgjedhjeve dhe mandatari për formimin e qeverisë së re.
Ambasadori Grenell u shpreh se gjatë takimit i ka kërkuar Zotit Kurti që të konsiderojë heqjen e taksës 100 për qind mbi produktet serbe. Ambasadori shtoi se në të njëjtën kohë duhet të ndalë dhe fushata që Serbia ka nisur për tërheqjen e pavarësisë së Kosovës:
“Jam duke u munduar që të injoroj përplasjet politike dhe të koncentrohem në rritje ekonomike dhe për këtë kam kërkuar nga Zoti Kurti dhe do të kërkojë edhe nga politikanët tjerë që është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë tutje në zhvillim ekonomik dhe që taksa 100 për qind të hiqet.
Kjo është një gjë që duhet të largohet në të njejtën kohë fushata për tërheqje të njohjeve nga Serbia duhet të ndalet.
Unë do ta përcjellë të njëjtin mesazh edhe në Beograd. Ky është mesazhi që e mbaj këtu sot edhe në Serbi.”
Ambasadori Grenell theksoi se është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të fillojnë të ecin përpara me krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e ekonomisë, gjë që nuk mund të ndodhë ‘nëse ka konflikt nga establishmenti politik’.
Më herët ambasadori Grenell ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë në debatet e brendshme të Kosovës për formimin e qeverisë së re dhe se ka besim se Kosova së shpejti do të ketë qeverinë e re.