
Bernd Borchardt, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, theksoi sot rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të ODIHR për zgjedhjet e vitit 2017.
Zoti Borchardt, i ftuar në Forumin për Zhvillimin e Medias, tha se një nga 84 rekomandimet kërkon ndalimin e transmetimit të pamjeve filmike të prodhuara nga partitë politike.
“Më lejoni t’ju rikujtoj një prej rekomandimeve të dhëna nga ODIHR në vitin 2015: “shfuqizimi i dispozitave të Nenit 84 të Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetohen në lajme”, deklaroi ambasadori.
Deklaratat e ambasadorit vijnë pak ditë pasi kryetari i sapozgjedhur i Komisionit Qendror Zgjedhor, Denar Biba deklaroi se “nuk ka kohë, të paktën për zgjedhjet e vitit 2017” për të bërë një reformë të mirëfilltë zgjedhore.
Ambasadori i OSBE-së shprehu gjithashtu mbështetjen për gazetarët dhe dënoi punësimin informal nëpër mediat shqiptare.
“Kjo sjell mungesën e pavarësisë editoriale dhe i hap derën presioneve të ndryshme. Ne bëjmë thirrje për zbatimin e kodit të punës në të gjitha kompanitë mediatike,” u shpreh Zoti Borchardt.