Ambasadori Donald Lu është përpjekur dje që me gjuhë diplomatike të shmangë refuzimin e tij për kryetarin e ri të Kuvendit.
Pa dhënë asnjë shpjegim, ai mungoi të shtunën kur zoti Ruçi u votua në detyrën e tij, si kundër dje gazetaret fiksuan momentet kur zoti Lu hoqi kufjet ndërsa kryetari i ri i Kuvendit mori fjalën në seancën plenare të Kuvendit.
Ambasadori amerikan në Tiranë është njohës i mirë i Gjuhës Shqipe dhe me gjithë vështirësitë e rastit mund të kuptoje fare qartë se çfarë thotë kryetari i ri i Parlamentit. Por nëse herë të tjera, në përballjet e tij me problematikën shqiptare Donald Lu nuk i ka kursyer emrat e përveçëm, këtë here ka zgjedhur diçka më diplomatike. Ndoshta për të mos qenë ai figurë kryesore e një kontestimi qe duhet të kishte ndodhur shumë vite më parë ndaj një politikani, ish-funksionari të lartë të regjimit komunist në vitet ‘80.
Por, pavarësisht çdo pakënaqësie publike ose jo, që nga e shtuna e për 4 vitet e ardhshme, Shqipëria do të përfaqësohet në çdo takim të nivelit të lartë ndërkombëtar nga një aparatçik i diktaturës komuniste që nuk di asnjë gjuhë të huaj.
Edi Rama që bëri rezil ambasadorët e Shqipërisë në botë për përfaqësimin e dobët që i bëjnë vendit, paturpësisht vendosi që të na përfaqësojë ndërkombëtarisht me një ish-komunist kalibri që përtej pamjes babaxhane, në CV e tij nuk e fsheh që ka qenë për disa vite sekretar i PK në Tepelenë, ndërsa ka qenë dhe i përfolur për detyrën e ish-ministrit të Brendshëm në qeverinë e Fatos Nanos në vitin ‘91. Por, sigurisht ish-krahu i djathtë i Nanos e tradhtoi atë kur Edi Rama mori frenat e partisë në dorë, duke u shndërruar jo rrallëherë në patericën e një kryetari që me Partinë Socialiste kishte vetëm lidhje virtuale.
Mënyra se si ai u rikthye në krye të elitës politike të Shqipërisë padyshim është e lidhur edhe me nostalgjitë perverse të një Kryeministri që dikur mbante flamurin e antikomunizmit. Por, që sot dëshira për pushtet ngadhënjen mbi çdo dhimbje dhe sensibilitet njerëzor të asaj pjese të shqiptarëve që u vra, u burgos, u internua dhe u keqpërdor kaq shumë këto 25 vjet.
Aq më e madhe bëhet dhimbja, kur në seancën e votimit të një ish- funksionari të lartë të diktaturës, votojnë dhe ata që teorikisht të paktën, duhet të ishin duke protestuar ndaj këtij akti të paprecedent për asnjë nga vendet e ish bllokut komunist.
Arsyet e këtij dështimi të opozitës janë padyshim përgjegjësi e lidershipit të ri të saj. Që para se të angazhonte njerëzit në protestë duhej të bindte ndoshta anëtarët e grupit për votën dhe qendrimin kundër një ish-funksionari të lartë komunist.
Por, kritizerët e mëdhenj të kryetarit të ri të opozitës nuk duhet të harrojnë në fakt se për dhjetëra vite me radhë bashkëpunuan me shokun Gramoz në Parlament dhe gjetkë. Shumë herë të tjera nënshkruan apo përfunduan marrëveshje duke i shkelur njërin sy, për hir të pushtetit apo kulisave të politikës. Ndaj sot është shumë vonë dhe e kotë të qajnë me lot krokodili rrjedhjen e votave dhe të shprehin sensibilitet me ish-të përndjekurit.
Kjo kategori e ish-drejtuesve të lartë dhe ish-qeveritarëve të PD-së duhet ta ketë të qartë se është përgjegjësia e tyre kryesore për gjendjen e mjeruar të atyre që janë ende gjallë dhe që vuajtën në burgjet e komunizmit. Këta ish-ministra dhe drejtues janë ata që nuk afruan kurrë pranë pushtetit fëmijët e ish të përndjekurve politikë.
Është kjo kastë e së djathtës që qeverisi 8 vjet, arsyeja e vetme pse sot ende nuk ka një ditë dhe memorial për të kujtuar viktimat e regjimit më të egër në Europë.
Ndaj sot, Lulzim Basha le të mbajë përgjegjësinë për rrjedhjen e votave, ndërsa për gjynahet e tjera le të paguajnë ata që më shumë si viktimat e komunizmit kanë hallin si të mbyllin deklarimin e pasurisë dhe ti shkelin syrin shokut Gramoz.