Ambasadorja amerikane, thirrje policisë të përmbahet ndaj protestuesve, opozita të refuzojë dhunën

Nga Exit News
Ambasadorja amerikane, thirrje policisë të përmbahet ndaj protestuesve, opozita të refuzojë dhunën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i ka bërë thirrje palëve politike të distancohen nga dhuna në protestat për vrasjen e Klodian Rashës.

Ambasada bën me dije se ambasadorja Kim ka biseduar me krerët e partive kryesore politike dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu lidhur vrasjen e të riut nga policia.

Sipas ambasadores, qeveria ka për detyrë të garantojë një hetim transparent dhe të jetë e përmbajtur në garantimin e sigurisë.

Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë publike dhe pronës dhe të sigurojnë përgjegjësi në të gjitha rastet. Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë filluar një hetim.“, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ajo ka edhe një thirrje për opozitën së cilës i kërkon të mos bëjnë gabimet e së kaluarës.

“Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën. Ata që kanë qenë në pushtet në të kaluarën nuk duhet të bëjnë gabime të së kaluarës duke sugjeruar që dhuna është e pranueshme.”, shkruhet në njoftim.

Kryeministri Rama akuzoi më herët opozitën dhe presidentin Meta se kanë organizuar dhunën në protestën për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Ai paralajmëroi protestuesit që janë përplasur me policinë se do të shkojnë “prapa hekurave”.

Policia shpërndau të enjten protestuesit me gaz lotsjelles dhe spraj djegës pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt nga posti i Ministrit të Brendshëm. Tashmë ata kërkojnë dorëheqjen e drejtori të policisë, Ardi Veliu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>