Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka përshëndetur marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë për ngritjen e një qendre greko-shqiptare për të luftuar krimin ndërkufitar.
Marrëveshja është nënshkurar nga zv/ministri i Brendshëm i Shqipërisë Julian Hodaj dhe zv/ministri i Brendshëm i Greqisë Elefterios Oikonomu.
Ajo parashikon ngritjen e një qendre në anën greke të kufirit që do të trajtojë rastet që nga migracioni i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore etj. deri te trafiku i drogës, armëve, falsifikimi i dokumenteve të udhëtimit, kartave të identitetit, si dhe rekrutimit të luftëtarëve të huaj.
Qendra do të ketë personel shqiptar dhe grek. Dy të tilla, Greqia i ka ngritur në kufirin me Bullgarinë dhe me Turqinë.
Ambasadorja Kim shkroi në Twitter:
“Marrëveshja e sotme midis Shqipërisë dhe Greqisë për të forcuar bashkëpunimin kufitar është një zhvillim pozitiv. Kontrolli më i mirë kufitar forcon sigurinë e të dy vendeve dhe rajonit. Më vjen mirë të shoh miqtë tanë të punojnë sëbashku për të zgjidhur probleme të përbashkëta.”
Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë vjen pas vizitës së kryeministrit Rama në Athinë ku u takua me kryeministrin grek Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm, Dendias.
Të dy vendet kanë pezull çështjen e delimitimit të kufirit detar, të cilën kanë vendosur ta çojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.