Anullohet gara për koncesionin Milot-Fier, skualifikohet oferta e vetme

Nga Exit News
Anullohet gara për koncesionin Milot-Fier, skualifikohet oferta e vetme

Gara për ndërtimin e rrugës Milot- Fier u anullua dhe do të rihapet për herë të dytë. Lajmin e dha Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e ftuar në emisionin “Përballë”, në TVSH, të gazetarit Lutfi Dervishi.

Ministrja nuk tha se kur do te hapet gara për këtë koncesion. Ajo sqaroi se oferta e vetme e ardhur u skualifikua sepse nuk plotësonte kriterin e kohëzgjatjes: qeveria ka kërkuar ndërtimin për 60 ditë, ndërsa kompania ka ofruar ndërtimin e saj për 96 muaj.

“Ne kemi pasur një ofertë që e kemi kqyrur me shumë vemendje. Ne na u desh ta kqyrnim shumë mirë ofertën, duke qenë se ka qenë shumë voluminoze. Mbi 40 fashikuj kanë qenë. Oferta fatkeqësisht nuk është më e vlefshme.

Oferta financiare ka ardhur shumë e mirë, më poshtë nga tavani i qeverisë, problem është që nuk përmbushet një nga kriteret teknike, ai i kohëzgjatjes së ndërtimit, prej 60 muajsh. Kompania ofroi 96 muaj duke e bërë ofertën të pakualifikueshme.

Milot-Fieri do të hapet për të gjetur mundësi edhe njëherë. Ne do ta rihapim për t’i dhënë mundësi kujtdo që të marin pjesë në ndërtimin e kësaj rruge”, tha Balluku.

Qeveria hapi në korrik 2020 zyrtarisht garën ndërkombëtare për koncesionin e rrugës Milot-Fier. Koncesioni parashikonte projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës për 35 vitet e ardhshme.

Vlera totale e projekti parashikohet të jetë 1,188 miliardë euro pa TVSH dhe do të bëhet nga kompania fituese. Ndërsa shteti do të ofrojë garanci për deri në 7 për qind të vlerës së investimit, në rast se trafiku në rrugë nuk është sipas pritshmërisë së koncesionarit.

Segmenti do të jetë 115 kilometra i gjatë, ku 53 kilometra do të jenë rrugë të reja që do të ndërtohen, ndërsa 62 kilometrat e tjerë do të jenë rehabilitim i rrugëve ekzistuese.

Qytetarët pritet të paguajnë për një rrugë vajtje-ardhje në segmentin Milot-Fier 17,5 euro, ose 0.075 euro për një kilometër.

Ky projekt u kundërshtua nga PD. Agron Shehaj e quajti projektin e rrugës Milot-Fier ‘një skemë e sofistikuar mashtrimi ku do të vidhen qindra milionë euro direkt nga Edi Rama’.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>