Kompania Astrazeneca ka anulluar takimin me zyrtarë të Bashkimit Europian të parashikuar për tu mbajtur këtë të mërkurë.
Vendimi për të mos marrë pjesë në këtë takim erdhi pas deklaratës së drejtuesi të kompanisë, Pascal Soriot, i cili pohoi se vendimi i vonë i BE-së për të nënshkruar kontratat me to, nuk i kishte dhënë kohë kompanisë për të zgjidhur disa ngërçe në procesin e prodhimit.
Kompania do të përgjigjet me shkrim ndaj Komisioneres për Shëndetësinë, Stella Kyriakides, në lidhje me prodhimin e vaksinave.
Pak ditë më parë, kompania AstraZeneca lajmëroi se do të kishte vonesa në shpërndarjen e vaksinës së saj në vendet e BE-së, për shkak të disa vonesave në prodhim.
Kjo ka shkaktuar revoltë nga drejtuesit e shteteve pasi edhe kompania tjetër Pfizer ka ngadalësuar procesin e shpërndërjes së vaksinave anti-Covid, duke shkaktuar paqartësi në planet e vendeve për të vaksinuar popullsinë.