Ndërsa lexoj kronikat e përditshme për artistët që po luftojnë dhëmb për dhëmb me qeverinë për të mos iu prishur Teatri i tyre, ku ata nuk kanë derdhur vetëm djersë pa kursim por shumë më tepër, deri dhe shpirtin, pra, që ai të rikonstruktohet por fasada të ruhet, lexoj një shkrim për Spaçin. (Gazeta “Shqip”, 20 mars 2018), ku autori, Sulejman Dida, i ka vënë një titull tepër kuptimplotë: “Ta “bëjmë” Spaçin, që të mos e përsëritim atë!”.
A ka përkitje apo analogji në mes tyre?! “A je i marrë a shtihesh?!” mund të më thotë dikush si me humor, dhe jo pa të drejtë. Në vështrim të parë duket se nuk ka asgjë të përbashkët në mes minierës-burg të Spaçit dhe Teatrit Kombëtar, për të cilin ruajnë kujtime e kanë nostalgji jo vetëm aktorët e regjisorët, por të gjithë ne, ish-spektatorët. Por, le të mos nxitohemi në përfundime.
Autori i shkrimit që përmenda më sipër, tregon për degradimin e plotë që po ndodh në burgun famëkeq, ku u persekutuan për dekada qindra e mijëra shqiptarë në regjimin komunist. Ai e krahason atë me një plagë të cilën po e mbyll koha me erozionin e pashmangshëm, e të pamëshirshëm, do të shtoja unë. Që nga viti 1991, – thekson autori, – aty gjithçka është shkatërruar dhe grabitur, ku përveç ndonjë rrëfimi, nuk gjen asnjë gjurmë të persekutimit…
Kemi të bëjmë pra, me një barbari të vërtetë. Gjithçka u prish, u shkatërrua, u vodh, u shit për skrap dhe as që u kujtua njeri të thoshte apo të ulërinte, me sa zë që kishte: “More, a e kuptoni se ç’po bëhet? Nuk po shkatërrohet e nuk po shitet thjesht hekuri i atyre soletave të betonit, por po shkatërrohet e po shitet një copë e rëndësishme e historisë sonë, e kujtesës tonë…”.
A thua është e vështirë të kuptohej kjo nga pushtetarët tanë të pas-Diktaturës?
Një parantezë e shkurtër
Në Spaç unë kam punuar dhe vetë, si teknik gjeolog, pas shkollës së mesme, Politeknikumit. Ne as që na shkonte në mendje atëherë se po përgatisnim burgun e ardhshëm, një nga më të tmerrshmit që ka njohur jo vetëm vendi ynë, por dhe bota mbarë.
Por unë e kujtoj atë kohë në dy pamje: kushtet e punës të minatorëve e sondistëve dhe jeta e tyre qe tepër e vështirë dhe e mundimshme, edhe pse akoma nuk qe kthyer në kamp pune për të burgosurit. Sado e çuditshme të duket, unë e kujtoj atë kohë edhe me nostalgji: teknikë, inxhinierë e nëpunës të tjerë, përgjithësisht të rinj në moshë e jabanxhi, gjenim dhe krijonim, edhe në ato kushte izolimi të skajshëm, hapësira të gëzueshme me njëri tjetrin.
Pas përmbysjes së Diktaturës dhe mbylljes së burgut, kam lexuar tërë ato shkrime e kronika për tmerret e përjetuara në ato hapësira që unë i kisha shkelur e i njihja me pëllëmbë. Po revolta e njohur e ’73-shit, që sivjet ka 45 vjetorin, e që u shtyp me sadizëm, duke pushkatuar katër të burgosur e duke ri-dënuar qindra të tjerë, a mund të harrohet? Kam takuar dhe biseduar me shumë syresh…Shkurt muhabeti, a mund të harrohen apo, edhe më direkt, a duhet të harrohen tërë këto apo duhej bërë ç’qe e mundur për ta ruajtur ashtu siç qe dhe siç e shtjellon saktë e bukur autori në shkrimin e mësipërm?!
Një parantezë tjetër
Kam pasur rastin të vizitoj edhe burgun e famshëm të Al-Katrasit, në ishullin e njohur me të njëjtin emër, në San Françisko të Kalifornisë. Madje hyra dhe në qelinë e Al Kapones…
Por këto kuriozitete mund të jenë objekt i ndonjë shkrimi tjetër. Gjetkë e kisha fjalën me këtë parantezë: Atë burg e mbylli Xhon Kenedi dhe e ktheu në muze. A nuk kam të drejtë të pyes: të qe kryeministri ynë artist dhe kanakari i tij, Erion Veliaj i kudondodhur, a thua do e linin tërë atë ishull pa ndërtuar kulla të larta e pa e kthyer në burime të majme fitimi, siç kanë bërë e po bëjnë me gjithçka tjetër në Tiranë e kudo gjetkë ku kanë pasur mundësi?
A nuk na e shembën stadiumin, kinema “17 nëntorin” e “Republikën”, lulishten pas Skëndërbeut, (të njohur edhe si “Kafe Gjirokastra”), etj. dhe tani po bëjnë ç’është e mundur që të shembin Teatrin?
Por, këtë parantezë e hapa dhe për diçka tjetër. Kam vizituar shumë shtete e qytete, anë e mbanë Amerikës apo edhe malet, kodrat e liqenet përreth Nju Yorkut.
Çfarë më ka bërë përshtypje? Që kudo, ruajnë me një xhelozi të habitshme, gjithçka të vjetër: kam ndeshur në baraka prej dërrasash, porta e ura të vjetra me harqe, prej guri, rrugë me kalldrëm etj.etj. Guxo po munde të dëmtosh sadopak ndonjërën prej tyre…Kurse ne: shkatërro gjithçka, vetëm e vetëm për të fituar para…
Përfundim
Kthehemi përsëri tek tema e shkrimit tim dhe e të nderuarit Sulejman Dida. Bukur e ka dhënë mesazhin ai, ndaj dhe u ndala kaq gjatë: po të harrojmë të kaluarën, ka rrezik që ajo të përsëritet. Ky është një mesazh i madh që na ka ardhur e na vjen gjatë gjithë historisë, jo vetëm tonës por dhe asaj botërore.
Mjafton të kujtojmë Gjermaninë, që, duke harruar mësimet e së kaluarës, i dha Botës dy tragjedi të llahtarshme dhe veshi në zi dhjetëra miliona familje.
Po “Enveri ynë” që pushkatoi, burgosi e internoi shumë më tepër nga sa mori Lufta?! Po tërë këta “enverë” të rinj, që tranzicioni i prodhoi me bollëk, a thua se kanë nxjerrë mësime nga e kaluara, që vetëm kanë nguruar për të mbushur xhepat, për të ndërtuar kulla e vila, si sheikët, e për të jetuar si mbretër e princër, a ndalen para ndonjë skrupulli?
U bënë gati tridhjetë vjet që presim ndryshime e më kot: vazhdon e njëjta histori, si nga pushtetmbajtësit, ashtu dhe nga ata që mezi presin tu zënë vendin. Ja pse dy shkrimet kanë aq shumë analogji apo emërues të përbashkët mes tyre: shembja e Teatrit e shkatërrimi i Spaçit janë dy ngjarje që sjellin në mënyrë të ububu-shme një frikë të madhe: nga pushtetarët tanë mund të presim gjithçka!
“More, si flet kështu, kur kryeministrin aktual, si askund tjetër, e kemi një ish-artist,(paçka se të dështuar) dhe një intelektual klasi,(paçka se kontra pedal e ekscentrik)?! Unë do t’ia ktheja se kjo, e bën problemin që shtruam edhe më të dhimbshëm, për të kuptuar se si i tjetërson pushteti e paraja njerëzit, kushdo qofshin ata.