Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shprehet se nuk e ka ndjekur kërkesën e Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani për heqjen e tarifës në rrugën e Kombit.
Balluku ka përjashtuar mundësinë e heqjes së tarifës duke argumentuar se ajo shërben për të mirëmbajtur rrugën.
“Të gjitha trarët që ndodhen në Itali ndajnë Firencen nga Roma? Jo, duhet të paguhet rruga sepse duhet mirëmbajtur. Nuk e kam ndjekur kërkesën e Presidentes, por unë e kam kuptuar se ndoshta i referohet traut të kufirit. Nëse i është referuar rrugës së Kombit, i them se nuk ka lidhje trau me pagesë, me ndarjen e shteteve. Trau i rrugës së Kombit nuk është për të na ndarë ne dhe kosovarët, por është një autostradë që duhet mirëmbajtur.”, tha Balluku në një intervistë për ABC News.
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, presidentja Osmani i kërkoi shtetit shqiptar të heqë tarifën e vendosur në rrugën e Kombit.
Në fjalimin e saj nga foltorja e Parlamentit të Shqipërisë, Osmani e quajti traun si “barrierë në komunikimin mes dy vendeve që shkon kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshqiptare”.