Menjëherë pas përplasjes në Kuvend, Kryetari i PD-së Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Rama se është i lidhur personalisht me krimin e organizuar, e për këtë arsye po fut në kolaps kuvendin:
“Sot, Gramoz Ruçi me urdhër të Ramës ka futur në kolaps kuvendin duke shkelur rregulloren. E ka bërë me synim që mos ketë debat për çështjen e zgjedhjeve, mos ketë debat për çështjen e krimit që ka sot në kontroll qytet kryesore të Shqipërisë. Siç ka në kontroll Lushnjen, ku dje ndodhu fatkeqësia e radhës, siç ka në kontroll Elbasanin, Shijakun, Shkodrëm Lezhën, Krujën, Vlorën, Fierin, Dibrën, Tepelenën.
Edi Rama ka frikë nga përballja me të vërtetën dhe e vërteta është që të gjitha këto banda kanë sot kontrollin e Shqipërisë sepse janë në aleancë me Edi Ramën.”
Reagimi i zotit Basha vjen pasi kreu i Kuvendit Ruçi përjashtoi nga seanca deputetin demokrat Flamur Noka. Ky i fundit i kërkoi Zotit Ruçi të respektonte rregulloren dhe të përjashtonte nga seanca Kryeministri Rama për fyerje të opozitës.
Zoti Basha tha se opozita do të faktojë përpara qytetarëve lidhjet personale të Ramës me krimin:
“Sot opozita për të dytin vit radhazi është gati ta ballafaqojë Edi Ramën me faktet e lidhjes së tij personale me krimin dhe kriminelët. Edi Rama e di këtë sepse ne e kemi paralajmëruar. Vendi për ta treguar është aty [në Kuvend].”
Më tej kryetari i PD akuzoi Kryeministrin Rama se po përdor çdo mjet për të bllokuar opozitën nga e drejta e fjalës në Kuvend:
“Edi Rama me mashën e tij Gramoz Ruçia ia ka dalë që për dy javë të shkelë rregulloren dhe të shtyjë ballafaqimin që meritojnë shqiptarët.
Opozita ka fjalën, nëse na mohohet e drejta e fjalës atëherë nuk ka më parlamentarizëm. Noka nuk ka shkelur rregulloren, rregulloren e ka shkelur Ruci me urdhër të Ramës.”