Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi “gjyq politik ndaj opozitës” procesin gjyqësor që po ndiqet ndaj ish-deputetit Ervin Salianji.
Përmes një postimi në Facebook, Zoti Basha reagoi pas kërkesës së Prokurorisë për 1 vit e gjysmë burg ndaj ish-deputetit. Dy prokurorët që formuluan akuzën, ai i cilësoi të korruptuar dhe të përdorur nga Kryeministri Rama:
“30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës. Për të dënuar Ervin Salianjin, që denoncoi me fakte, përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në trafik droge, Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit.”
Zoti Basha theksoi se “askush nuk do të arrijë kurrë t’i mbylli gojën as Ervin Salianjit dhe asnjë përfaqësuesi politik të PD-së”. Kryetari i opozitës këmbënguli se beteja me krimin e organizuar, dhe denoncimi i lidhjeve të krimit të organizuar me qeverinë dhe drejtësinë, nuk ka për tu ndalur”.