Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dëmtojnë vetëm Serbinë dhe thekson se Kosova është e pavarur dhe kjo është e pakthyeshme.
Në një reagim në rrjetet sociale, Basha dënon deklaratat e Vuçiç si nxitëse të konfliktit dhe përçarjes.
“Shfaqje të tilla nacionaliste dëmtojnë vetëm Serbinë dhe tregojnë qasjen destruktive të lidershipit të saj.”, shkruan Basha.
Kryedemokrati shton se sa më shpejtë të pranohet pavarësia e Kosovës aq më shpejtë Serbia dhe rajoni do të ecin drejtë BE-së.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka përkujtuar 17-vjetorin e atyre që njihen si “Trazirat e Marsit” në Kosovë.
Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve.
Në protestat dy ditore që nisën më 17 mars 2004 u vranë 19 civilë, 11 ishin shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa numri i të lënduarve ishte mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.
Vuçiç nga ana e tij e ka quajtur këtë ngjarje masakër ndaj serbëve të Kosovës dhe e ka shoqëruar reagimin e tij me një foto ku shfaqet flamuri i Serbisë që mbulon hartën e Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh i zhgënjyer pasi shkruan se deklaratat e Vuçiç “tregojnë qasjen destruktive që ka pasur” ai në raport me Kosovën “përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”.
BE u shpreh se Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që nuk shërbejnë për normalizim të marrëdhënieve.
Për këtë ngjarje kanë reaguar edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ish-kryenegociatorja për bisedime teknike në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Armend Muja dhe ministri shqiptar i Diasporës, Pandeli Majko.