
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e quajti zgjedhjen e Kryeministrit Edi Rama një aksident që i ndodhi Shqipërisë 8 vjet më parë.
“8 vjet më parë Shqipërisë i ndodhi një aksident kur u zgjodh Edi Rama kryeministër, por kjo nuk do të jetë e ardhmja jonë. Shqipëria kërkon ndryshim!”, u shpreh Basha në një takim me qytetarët e Beratit të shtunën.
Ai u shpreh se shqiptarët kërkojnë ndryshim. “Nga jugu në veri po takoj shqiptarë të cilët duan ndryshim dhe ne së bashku jemi shpresa dhe jemi forca që do e bëjmë këtë ndryshim të mundur. Me 25 prill fiton Shqipëria”, ju drejtua Basha qytetarëve.
Ai premtoi se qeveria e tij do t’i japë fund shpërdorimit të parave të shtetit dhe do të nisë ndërtimin e veprave infrastrukturore të lëna pezull nga qeveria Rama.