Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bisedoi dje në mbrëmje me gazetarët Blendi Fevziu, Lorenc Vangjeli e Çim Peka, në studion e emisionit Opinion. Biseda u përqëndrua tek zgjedhja e prokurores së përkohshme të përgjithshme dhe veprimet që do të ndërmarrë opozita në të ardhmen.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Basha janë:
– Sot Kryeprokuror në Shqipëri është Edi Rama.
– Edi Rama shkeli Kushtetutën për të kapur institucionin e akuzës.
– Sot kemi një kryeprokuror të zgjedhur nga vetëm një forcë politike, në shkelje të kushtetutës dhe pa vetting.
– Fryti i vetëm i asaj që ka ndodhur të hënën do të jetë mbyllja e akuzave për Tahirin, Dakon, Sejdinin e shumë të tjerë.
– [Kryeministri Rama] më ka kërkuar takim [për çështjen e kryeprokurorit], edhe drejtëperdrejt, por ne ndajmë interesa të ndryshme dhe nuk pranova.
– Nuk ka asnjë mënyrë se unë apo PD mund të zgjedhë prokuroren e përgjithshme me një pazar me këdo, aq më pak me një njeri interesi i të cilit është të mbyllë dosjen e Saimir Tahirit, të mbyllë dosjen e Xibrakës, Qazim Sejdinit dhe të mbyllë dosjen e Vangjush Dakos.
– Ne kemi interes të mbrojmë Kushtetutën, të zgjedhim një prokuror me Vetting.
– Kemi interesa të kundërta [me Ramën], të bëhet një orë më pak SPAK, të hetohen ministrat. Nuk kemi asnjë pikë të përbashkët. Rama duke mbrojtur ata mbron interesat e veta.
– Ne jemi për kushtetutën, jo për shkeljen e saj.
– Kjo është një betejë e vështirë [me qeverinë Rama 2]. Të përballesh me një qeveri e cila financohet nga miliona euro të krimit dhe drogës është e vështirë.
– Shoqëria jonë është në një krizë të thellë morale për një arsye të vetme, pasi që të arrijë deri në këtë pikë Edi Rama, duhet të nënshtrojë elitat, median, shoqërinë civile dhe kapitalin ekonomik.
Tre skenarët e opozitës pas votimit në parlament të kryeprokurores së përkohshme:
– Skenari i parë është një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Ne do të kërkojmë që në parlament të kthehet ligjshmëria. Ne mund të qëndrojmë në sallë që ta bëjmë të mundur këtë sepse ndryshe nuk e realizojmë dot.
– Skenari i dytë është bojkoti afatgjatë, që do të thotë se opozita nuk merre pjesë në punimet e Kuvendit.
– Skenari i tretë është invalidimi i mandateve, por vetëm nëse kryhet, duhet të kryhet me opozitën e bashkuar. Nëse e bën e vetme, vendet e saj i merr partia tjetër. Nëse behet, avantazhi eshte se ekspozohet parlamenti monist.
– Secili nga këto skenarë ka anë avantazhet dhe disavantazhet e veta, ndaj dhe ne jemi në një proces që po i shqyrtojmë të gjithë skenarët.