Kryetari i PD Lulzim Basha vizitoi sot një familje në Kamëz, që jetojnë në kushte të vështira financiare dhe bisedoi me kryefamijarin e saj Agim Lleshin për problemet e shumta për rritjen e 8 fëmijëve të tij.
Kryefamiljari i tregoi Bashës se familja e tij prej 10 personash jeton me vetëm 18 mijë lekë të reja në muaj, pagesa e tij e invaliditetit, ndërsa gruaja është e papunë:
“Jam invalid, i operuar për zemrën dy herë, gruaja është e papunë, se rrit fëmijët. Jetojmë me 180 mijë lekë nga invaliditeti dhe ndonjë punë që bëjnë dy çunat e mëdhenj. Por qeveria na kërkon çdo gjë, edhe dritat, edhe ujin, na shkatërruan. Nuk kam patur mundësi t’i përballoj të gjitha, se duhet të ble edhe 80 mijë lekë ilaçe.”
Ai tha se nuk mund të përballojë të dërgojë fëmijët në shkolla, pasi dhe ushqimet i merr me listë në dyqanet e lagjes:
“Janë mbushur listat nëpër dyqane plot dhe nuk di, vetëm të kap kokën me grushte e të shkoj të mbytem. Shteti nuk më ndihmon askund, kam rënë në pikë të hallit.”
Lulzim Basha i premtoi Zotit Lleshi dhe familjes së tij se PD-në programin e saj do të ofrojë mbështetje të veçantë për familjet më shumë fëmije:
“Familjet me shumë fëmijë duhet të kenë mbështetje të veçantë nga shteti, kudo në botë e kanë. Fjala që unë po të jap në shtëpinë tënde është se nuk ka për të ngelur fëmijë shqiptari pa studiuar për shkak të gjendjes ekonomike të prindërve. Shqipëria i ka mundësitë. Ato lekë që i marrin një grusht njerëzish, duhet t’i marrin njerëzit në nevojë.”
Kjo visitë është pjesë e fushatës së Bashës “Po të dëgjoj”, e nisur prej disa javësh.