Kryetari i PD-së Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se Korçën e përdor si “rezortin e fundjavës” “por nuk është kujtuar t’i japë Universitetit të Korçës fondet e mjaftueshme dhe ta lidhë fuqishëm me rrjete evropiane”.
“Ti japë studentëve veglat me të cilat të ndërtojnë një jetë të mirë. Ky kryeministër nuk ka pasur zemër për hallet e juaja, dhe kjo është gjëja e parë që ndryshon më 25 prill”, u shpreh Basha.
Në takimin me të rinjtë e Korçës, të mërkurën, Basha u shpreh se Rama për “8 vite me radhë nuk hodhi asnjë hap drejt Europës.
Basha e akuzoi Ramën se “sa herë kapet në dështim ia ven fajin dikujt tjetër. Një njeri që ka harxhuar 8 vite duke me fajësuar mua dhe PD për dështimet e tij, tani fajëson edhe Europën dhe Amerikën”, duke e bërë të pamundur anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ai premtoi se qeveria e tij “do të ofrojë 20 trajnime të ndryshme profesionale për studentë nga teknologjia tek turizmi, inxhinieria etj që kanë nevojë tregu i punës”.
Kryetari i PD-së tregoi se ka një plan për punësimin e të rinjve korcarë në platformën më të madhe evropiane të punësimit për teknologjinë.
“Korça do të rimarrë vendin që i takon, dhe nuk do të jetë më rezort i fundjavave të politikanëve dhe do ta fillojë në atë fushë me të cilën është bërë lokomotivë e zhvillimit tonë kombëtar, me fushën e dijes, arsimit”, theksoi Basha.