Basha-Rama, replika për masat kundër koronavirusit

Nga Exit News
Basha-Rama, replika për masat kundër koronavirusit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha replikoi sot me Kryeministrin Edi Rama në lidhje me situatën shqetësuese rreth koronavirusit.

Basha komentoi në Facebook se “qeveria duhet të ndalë propagandën dhe të marrë masa konkrete për kontrollin e qytetarëve që vijnë nga Italia”. Më herët Rama pati komentuar në Twitter se “si gjithnjë politikanë të së keqes” duan “kaos e rrëmujë” për të kthyer “të shkuarën që i ka marrë me vete përgjithnjë”.

Në replikën ndaj Kryeministrit, Basha theksoi se masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit “nuk mund të jenë show televiziv”. Kryetari i PD-së u shpreh sërish se kontrollet duhet të jenë të plota në të gjitha pikat hyrëse të vendit. Ai kujtoi se mijëra qytetarë ndodhen në kushte të pambrojtura duke jetuar në çadra për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.

“Njerëzit janë të shqetësuar me të drejtë, ndaj është koha që të flasin mjekët dhe të izolohet propaganda. […] kemi personel të shkëlqyer mjekësor që nuk kërkon asgjë më shumë se plotësimin e kushteve dhe nevojave për të përballuar çdo situatë.

Detyra e qeverisë është të sigurojë këto kushte dhe jo të bëjë show dhe propagandë. Jam i bindur se nëse vihen në dispozicion mjetet e nevojshme, mjekët tanë do të përballojnë me sukses çdo situatë që mund të krijohet.”

Mesditën e sotme Kryeministri Rama u shpreh në Twitter se “koronavirusi nuk luftohet me politikë, gjithollogji apo frikë”. Ai siguroi se po bashkëpunohet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ndërsa u ankua se:

“Fatkeqësisht ky vend në çdo vështirësi a fatkeqësi natyrore ose mergjencë shëndetësore që shfaqet, duhet të përballet dhe me fatkeqësinë e tij të madhe të kanaleve e portaleve ku lulëzon injoranca, ligësia dembelizmi e grykësia e maskarallëkut që në këto raste bëhet çnjerëzor”.

Rama vazhdoi më tej duke këmbëngulur se “në krye të delenxhinjve” dalin “politikanët e së keqes” duke nënkuptuar këtu opozitën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>