Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj pohoi të mërkurën se pavarësisht tërheqjes nga PPP-ja me kompaninë Fusha, ndërtesa e teatrit do të ndërtohet sipas projektit të arkitektit Bjarke Ingels, bërë për llogari të Fushës, së bashku me projektin për kullat pas teatrit.
Në një intervistë për Top-Channel, Veliaj tha:
“Ne do realizojmë të njëjtin projekt të teatrit, thjesht në vend që të jetë operatori privat, do jemi ne operatori që e realizon, pra, do bëjmë teatrin e propozuar të Bjarke Ingels”.
Nuk dihet se pse një projekt i paguar nga Fusha shpk do t’i jepet falas Bashkisë Tiranë, por kjo gjë mund të merret me mend: pas projektit të teatrit ka qenë gjithmonë Edi Rama, ndërsa Fusha shpk është thjesht klienti i paracaktuar prej tij për të punuar me Ingels.
Në fakt, në vitin 2018, në një intervistë për Top-Channel Ingels ka pohuar se kishte nisur punën për projektin e teatrit, që në vitin 2016, me ftesë të Kryeministrit Rama dhe kryebashkiaku Veliaj për të marrë pjesë në konkurs.
Exit News pati kërkuar informacione rreth konkursit, të cilit i referohej Ingels, por pavarësisht kërkesave të përsëritura për informim nuk mori asnjë provë për zhvillimin e ndonjë konkursi nga firma e tij BIG.
BIG u justifikua me një marrëveshje për ruajtjen e konfidencialitetit që kishte me Bashkinë Tiranë, edhe pse ai ksihte rpanaur se ishte arkitekt edhe i ndërtimebve private pas Teatrit që nuk kanë lidhje me Bashkinë:
“Ne do të merremi me të gjithë hapësirën [e zonës përqark Teatrit]. Në fund nga pikëpamja urbaniste do të jetë një mjedis i përbashkët. Në muajt e ardhshëm do të përkufizojmë edhe dizenjot e ndërtesave që do të jenë pas. Ne po projektojmë edhe ndërtesat prapa. Teatri është pjesë e një projekti më të madh, por ai do të jetë një ndërtesë e vetme. Ne do të lidhim mjediset me njëri-tjetrin”.
Në tetor 2019, opozita kallëzoi për korrupsion arkitektin Ingels dhe kërkoi pezullimin e projektit me arsyetimin se qe shpallur fitues “në shkelje të çdo ligji vendas dhe ndërkombëtar, pa garë, pa procedurë, pa tender”. Katër muaj më vonë, Prokuroria e Tiranës rrëzoi kallëzimin.