
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të hënën vendimin për rikthimin e aboneve të përgjithshme të urbanëve duke filluar nga 1 korriku.
Sipas një raportimi të Euronews Albania, paçka se ishte njoftuar pezullimi i abonesë për 3 muajt e verës, Drejtoria e Transportit e Trafikut Rrugor arriti të kryejë shpejt procesin e mbledhjes së të dhënave që synonin riprganizimin dhe ristrukturimin e transportit qytetas.
Para një muaji Bashkia argumentoi se nevojitej “përshtatja e strukturës së udhëtimit me volumet e reja të udhëtimit” pasi operatorëve të transportit publik i është kërkuar të ofrojnë shërbim me 100% të kapacitetit të mjeteve.
Vendimi shkaktoi pakënaqësi te qytetarët, të cilët ishin të detyruar të blenin abonetë e veçanta të linjave urbane në kryeqytet, duke rritur koston e tyre të jetesës.