Në vitin 2016, 5, 8 për qind e shqiptarëve jetuan në varfëri ekstreme, ndërsa 34 për qind e popullsisë e rrezikuan atë. Përfundimet i ka publikuar Banka Botërore në raportin e saj të përvitshëm “Migration and Mobility”.
BB konsideron si individë në varfëri ekstreme ata që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë, ndërsa si të rrezikuar për të rënë në nivelin e varfërisë ekstreme janë ato njerëz që jetojnë me nga 2 deri në 5,5 dollarë në ditë.
Krahasuar me vitet 2015 e 2014, vihet re një ulje e lehtë me rreth 2 për qind e grupit të njerëzve që rrezikojnë varfërinë ekstreme. Por ulja është pothuaj e pa konsiderueshme në grupin e njerëzve që jetojnë me 1,9 dollarë në ditë, pra në varfëri ekstreme, çka tregon se në Shqipëri dalja nga skamja po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Krahasuar me vendet në rajon, Shqipëria është vendi më i kërcënuar nga skamja. Në Kosovë, vetëm 2,9 për qind e popullsisë jeton me më pak se 3,2 dollarë në ditë, ndërsa në Maqedoni 22,8 për qind jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë.