BE, 76 milionë euro për reduktimin e ndotjes së ajrit në Kosovë

Nga Exit News
BE, 76 milionë euro për reduktimin e ndotjes së ajrit në Kosovë

BE do të financojë €76,4 milionë për të përmirësuar performancën e termocentralit më të madh të Kosovës në mënyrë që të ketë më pak ndotje në ajër.

Financimi u bë me dije gjatë vizitës së Përfaqësuesit për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell në Prishtinë dhe u konfirmua me një deklaratë për shtyp nga Komisioni Evropian.

Përmes Instrumentit të Komisionit për Para-anëtarësim (IPA), €76,4 milionë financim të BE-së do të sigurohen për filtra të reja në termocentralin “B” të Kosovës.

“Ndotja e ajrit është një nga problemet më të mprehta mjedisore që prek Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Me këtë investim, BE po jep një kontribut konkret për të përmirësuar mjedisin në Kosovë dhe rajon, si dhe për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve ”.

Borrell shtoi se BE ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë, si pjesë e ambicies së Marrëveshjes së Gjelbër, nismat për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe efikasitetin e energjisë.

Projekti pritet të ulë emetimet, të kontribuojë në një furnizim të besueshëm dhe të pastër të energjisë dhe të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Parashikohet se me këtë investim emetimet e pluhurave të dëmshëm të reduktohen deri në 35 herë. Synim kryesor është reduktimi i oksideve të azotit për t’i sjellë emetimet e këtij gazi në përputhje me standardet e BE-së.

Dy termocentralet e Kosovës në qytetin e Obiliqit, të vendosur rreth 30 kilometra larg Prishtinës, janë më shumë se 40 vjeçare. Sipas Bankës Botërore, termocentralet janë burim i 98% të energjisë elektrike në Kosovë. Ata punojnë me qymyr linjiti, i cili konsiderohet si një nga karburantet fosile më ndotës, duke sjellë probleme mjedisore në Kosovë për dhjetëra vite.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>