
Bashkimi Evropian ka miratuar paketën e garancisë së kredive me vlerë 10 milionë euro për bankat e Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës me qëllim punësimin ose trajnimin e të rinjve. Ky mekanizëm parashikohet se do të mundësojë marrjen e 85 milionë eurove kredi me kushte të favorshme nga rreth 1200 biznese të këtyre tre vendeve.
99 përqind e bizneseve në Ballkanin Perëndimor janë biznese të vogla dhe të mesme, të cilat punësojnë rreth 70 përqind të popullsisë. Në të njëjtën kohë, norma e papunësisë ndër të rinjtë është më e larta në botë. Ajo varion nga 28 përqind në Shqipëri në 55 përqind në Kosovë.
Olivér Várhelyi, Komisioneri Evropian për Zhvillim, në prezantimin e paketës, tha se BE do të vazhdojë të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme, duke mbështetur në mënyrë të veçantë punësimin e të rinjve.