BE ndryshon qëndrim për shoqërinë civile: Do të raportojnë lidhur me progresin e vendit

BE ndryshon qëndrim për shoqërinë civile: Do të raportojnë lidhur me progresin e vendit

Bashkimi Evropian ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me rolin e organizatave të shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Më parë opinioni i shoqërisë civile nuk përfshihej në prrogres raportet e Komisioni Evropian për çdo vend kandidat.

Por sot gjatë fjalimit në dëgjesën me publikun për Raportin Vjetor të Shqipërisë 2018, Ambasadorja e Be-së Romana Vlahutin theksoi rëndësinë e shoqërisë civile si “mbikëqyrëse” të qeverisës dhe njoftoi përfshirje më aktive të saj në hartimin e raportit:

“Për ne, ajo çka shoqëria civile thotë apo kontribuon është me shumë rëndësi.

Krahasuar me vitet e kaluara kemi vendosur t’i kushtojmë 2 ditë të plota mbledhjes së kontributeve tuaja, përfshirë edhe ato me shkrim.

Ne duam të punojmë krah për krah me shoqërinë civile. Ju keni një  rol vendimtar për t’i dhënë zë gjithë qytetarëve shqiptarë dhe për t’i bërë institucionet të përgjegjshme.

Në këtë proces, roli i shoqërisë civile si rojtare dhe mbrojtëse është jetike. Këto konsultime përfaqësojnë një moment kyç që ju të reflektoni mbi progresin dhe të identifikoni fushat për përmirësim apo për reagim të ashpër. Ju keni njohuritë në terren që janë me rëndësi thelbësore për kapacitetin tonë për të kuptuar progresin e vërtetë të vendit.”

Përfshirja aktive e shoqërisë civile – të cilën Kryeministri Edi Rama më parë e ka quajtur “të vdekur” – në raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i cili do të mbulojë një periudhë më të gjatë se zakonisht, për shkak të shtyrjes së publikimit të raportit deri në prill 2018, tregon një qasje e re të BE-së ndaj shoqërisë civile.

Raport-progreset e mëparshme të KE-së nuk përfshinin konsultime të gjera me shoqërinë civile, e ndoshta për këtë arsye ishin një reflektim më i dobët i “situatës dhe progresit real të vendit” e shumë më tepër një projeksion i mendimit, dëshirave dhe propagandës së qeverisë.

Ky ndryshim i qëndrimit të BE-së tregon, gjithashtu, një tentativë të BE-së për tu mbrojtur nga reagimet jopozitive nga Parlamenti Evropian, i ngjashëm me reagimin që PE kishte kur Shqipërisë iu dha drita jeshile për hapjen e “kushtëzuar” të negocitave për anëtarësim. PE-ja i bëri amendime themelore atij progres-raporti. Disa shtete anëtare, madje kohët e fundit kanë qenë hapur shumë kritikë ndaj qeverisë shqiptare.

Në të njëjtën kohë, kjo qasje e re duket, po ashtu, se shmang përvetësimin e raportit nga qeveria shqiptare për qëllime propaganduese, duke theksuar se raporti është “nga Komisioni [Evropian] për Këshillin [Evropian]”, i cili gjithashtu ka fuqinë për të vendosur mbi hapat:

“Është një raport nga Komisioni te Këshilli, në mënyrë që Shtetet Anëtare të mund të vlerësojnë progresin e vendeve dhe të diskutojnë rekomandimet e Komisionit. Çdo vendim lidhur me hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt BE-së merret nga Shtetet Anëtare bazuar tek rekomandimi i Komisionit.

Si bëhet kjo? Komisioni mbledh informacione nga shumë burime: qeveria, Delegacioni, Shtetet Anëtare, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, biznesi, misionet qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme, misionet partnere, raporti sektorial, shqyrtimi i përputhshmërisë, të gjitha mblidhen,  krahasohen dhe konfirmohen.

Raporti 2018 për Shqipërinë do të jetë shumë i rëndësishëm. Vitin e kaluar Komisioni bëri një Rekomandim të kushtëzuar për çeljen e negociatave, me kusht që gjatë vitit 2017 të arrihet progres. Kjo ka të bëjë me hapat vendimtare për reformën e drejtësisë, përfshirë vetingun – por edhe me progresin e besueshëm dhe të qëndrueshëm në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë luftën kundër kultivimit dhe tregtisë së kanabisit, luftën kundër korrupsionit, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.”

Çdo gjë tani sigurisht varet se cilat organizata do të marrin pjesë në këto konsultime dhe kush i ka financuar ato në të kaluarën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>