Shqipëria ka siguruar aktualisht 1.6 milion doza të vaksinës kundër COVID-19.
Shefja e Departamentit të Epidemiolgjisë pranë ISHP, Dr. Silva Bino tha në TV Klan se me këto doza mund të vaksinohen 800 mijë persona ndërsa theksoi se kemi kapacitete për të vaksinuar të gjithë popullsinë brenda vitit.
“Sipas marrëveshjeve kemi 1.6 milionë vaksina për të vaksinuar 800 mijë veta. Shqipëria ka kapacitetet për të vaksinuar deri në fund të vitit të gjithë grupet e popullatës”.
Bino, tha se deri në fund të shkurtit, në Shqipëri do të kenë ardhur më shumë se 450 mijë vaksina. Pjesa e parë prej 10 mijë dozave do të vijë në javën e tretë të janarit, më pas në shkurt do të vijnë 30 mijë doza dhe në fund të shkurtit apo fillim të marsit, do të vijnë gradualisht 450 mijë doza.
“Kemi marrëveshje me Pfizer dhe Covax. Covax ka një kontratë me Pfizer dhe ne do të marrim një pjesë nga Covax, përpara marsit”, shtoi Bino.
Shqipëria ka paguar 3.99 milionë dollarë si formë parapagimi për vaksinën anti-Covid19, tek aleanca COVAX për të vaksinuar 570 mijë persona, ose rreth 20% të popullsisë.
Në fillim të vitit Shqipëria siguroi 500 mijë doza të vaksinës anti-Covid prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.
Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo bëri e para vaksinën anti-Covid, mesditën e së hënës dhe pas saj kryeministri Rama.