
Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi të dielën, përmes një statusi në rrjetin Twitter se antisemitizmi nuk ka vend në shoqëri.
“Përpara Shavuot, unë qëndroj me hebrenjtë e Britanisë të cilët nuk duhet të durojnë llojin e racizmit të turpshëm që kemi parë sot,” shkruan ai.
Reuters raporton se Johnson i referohet një videoje që qarkulloi paraditen e së dielës, ku tregohej një rrjesht makinash me flamuj palestinez, që brohorisnin mesazhe antisemite, duke kaluar në një lagjje hebreje në Londër.
Ndërkohë, Ministri britanik i komuniteteve,Robert Jenrick deklaroi:
“Cilado qoftë pikëpamja juaj për konfliktin në Izrael dhe Gaza, nuk ka justifikim për nxitjen e urrejtjes anti-hebraike ose anti-myslimane.”
Ndërkohë, incidenti po hetohet nga policia metropolitane, e cila deklaroi se veprime të tilla nuk do të toleroheshin.