Të dhënat e fundit të publikuara nga revista Monitor, që citojnë portalin Financa Vendore, tregojnë varësinë në rritje të buxhetit të Bashkisë Tiranë nga industria e ndërtimit.
Dyfishimi i taksës së infrastrukturës nga 4 në 8 për qind, si dhe një rritje e madhe e lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkia kanë çuar në rritjen e të ardhurave nga ky tatim nga rreth 662,000 mijë euro në tremujorin e parë të 2015 në rreth 10 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2017. Pra një rritje prej 2,386 për qindësh.
Në tremujorin e parë të 2015-ës, të ardhurat nga taksat e infrastrukturës përbënin 11 për qind të të ardhurave të bashkisë, ndërsa në tremujorin e parë të 2017-ës ato përbënin 56 për qind të totalit të buxhetit.
Një tjetër rritje domethënëse ishte në të ardhurat nga taksat e tjera, ku përfshihen tarifat e reja të parkimit. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015, të ardhurat e krijuara nga taksat dhe tarifat e tjera në tremujorin e parë të 2017-ës, duke u rritur me 3,607 për qidn, duke rritur pjesëmarrjen e tyre në të ardhurat totale lokale nga 0.24 në 7.4 përqind.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat nga tatimi mbi biznesin e vogël vazhdojnë të bien – vetëm 0.25 për qind të të ardhurave totale.
Këto shifra tregojnë qartë karakteristikat e reja të regjimit financiar të instaluar nga kryetari Erion Veliaj. Më shumë se gjysma e buxhetit komunal, dhe rrjedhimisht funksionimi i vetë bashkisë, varet nga projektet e ndërtimit. Ndërtimi është motori ekonomik që drejton bashkinë, megjithëse me sa duket ende është nevoja të mblidhen taksa shtesë për të siguruar infrastruktura thelbësore si për ujin apo dhe për shkollat.
Në të njëjtën kohë, projektet e ndërtimit, si ato në ish-Parkun e Autobusëve, shkatërrojnë më shumë hapësirën publike dhe kontribuojnë në rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Tiranë. Me fjalë të tjera, politika e taksave të bashkisë është grabitqare. Vetëm duke ndërtuar më shumë ndërtesa, nga viti në vit, bashkia do të jetë në gjendje të shmangë falimentimin, ndërkohë që aktiviteti aktual ekonomik prodhues kontribuon gjithnjë e më pak në buxhetin e saj.