Çekaj mohon akuzat për trafik droge, akuzon prokurorinë: Po mbron trafikantët e vërtetë

Nga Exit News
Çekaj mohon akuzat për trafik droge, akuzon prokurorinë: Po mbron trafikantët e vërtetë

Arbër Çekaj, i dyshuar për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, ka mohuar akuzat.

Gjatë seancës gjyqësore, zhvilluar të martën, Çekaj akuzoi policinë dhe prokurorinë se kanë  dekonspiruar operacionin me qëllim mbrojtjen e trafikantëve të vërtetë, për të cilët ata punojnë.

Sipas Çekajt, autoritetet italiane kanë vendosur kamera në kontejnerët me banana dhe drogë, por policia shqiptare me telefonat e dytë ‘dekonspiruan operacionin për të fshehur trafikantët e vërtëtë’:

“Pse nuk priti 30 minuta sa të shkarkoheshin dhe pastaj të shikonin se ku do të shkonte kontejner, destinacioni i parë ishte shkarkimi i bananes dhe pastaj do të shkonte në destinacion final. Donin të shpëtonin trafikantin e vërtetë dhe të bënin show me disa ministra e politikan se këtu s’ka nevojë. Duke më arrestuar mua, Policia dhe Prokuroria arrestoi pronarin e frutave në kontenier që s’është pronë e imja.”

Çekaj tha se kompania e tij është përgjegjëse vetëm për sasinë e bananeve, dhe jo për transportin e tyre, e cila bëhet me kontejnerët e një kompanie tjetër,  CMA CGM, në kontenierët e së cilës është gjetur jo pak herë drogë:

“CMA-CGM është përgjegjëse për transportin e frutave në det. Këtu nuk mund ta ndryshojë askush. Duke u nisur që nga transporti tokësor, kontejnerët dhe gjithçka është përgjegjësi e CMA-CGM. Nuk është hera e parë që në kontenierët e CMA CGM gjenden drogë, përditë ndodh se trafikantët s’do i sjellin 2 ton drogë në shpinë, por përdorin kompanitë e mëdha.”

Çekaj mbrojti veten duke thënë se nëse do të ishte trafikant droge, do të kishte korruptuar  ‘skaner, doganier me radhë’, për të siguruar që kontejnerët e tij nuk do të hapeshin.

Arbër Çekaj dhe dy të arrestuar të tjerë akuzohen për trafikimin  e  613 kilogramëve kokainë, në shkurt 2018.

Arbër Çekaj u ekstradua nga Gjermania më 19 shtator 2019 dhe doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda më 21 shtator. Gjykata konfirmoi masën e arrestit ‘arrest me burg’.

Menaxheri i kompanisë Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit Armando Pezaku janë arrestuar në flagrancë që në shkurt 2018, kur u kap dhe sasia e kokainës në portin e Durrësit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg për Çekajn, 16 vite për Donaldo Lushajn, menaxher i kompanisë.

Të tre të akuzuarit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndaj në rast se gjykata pranon dënimet e kërkuara nga prokuroria, të dënuarit do të vujnë vetëm 2/3 e dënimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>