Çështja e detit—Shqipëria me gjasa do të humbasë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Nga Ivi Bejtja
Çështja e detit—Shqipëria me gjasa do të humbasë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Dakortësia me Greqinë për të zgjidhur çështjen e detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) me gjasa do të njohë përfundimisht zgjerimin e hapësirave detare të Greqisë.

Duke mos kundërshtuar dekretin e Greqisës për vijën bazë dhe zgjerimin me 12 milje të vendosur nga Greqia, Kryeministri Edi Rama ka pranuar zvogëlimin hapësirës së detit territorial në jug të Shqipërisë.

Në një artikull të mëparshëm është argumentuar se e vetmja mundësi për arritjen e një zgjidhjeje mes dy vendeve në çështjen e detit është vendimi i një gjykate ndërkombëtare. Kjo për arsye se Shqipëria duhet t’i bindet vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndërsa Greqia nuk ka asnjë vendim të GJK për delimitimin e hapësirave detare dhe veprimet e saj janë të pakufizuara. Kjo e fundit është shprehur se nuk është në interesin e saj respektimi i vendimit të GJK të Shqipërisë dhe dakortësia mbi ato kushte nuk është e negociueshme.

Por rrethanat në të cilat ne argumentuam këtë fakt, ishin krejtësisht të ndryshme pasi Greqia nuk kishte përcaktuar vijën bazë. Në kushtet e mëparshme GJND do të jepte pozita favorizuese Shqipërisë.

Si arritëm deri këtu?

Partia Socialiste premtoi në vitin 2013 se do të arrinte një marrëveshje me shtetin grek për çështjet e detit duke respektuar vendimin e GJK.

Në vitin 2018, qeveria shqiptare nisi një sërë takimesh me qeverinë greke për të finalizuar një marrëveshje për kufijtë detar. Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati takoi disa herë homologun e tij Nikos Kotzias. Madje Bushati u shpreh se “jemi plotësisht të bindur që duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, duke respektuar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, Shqipëria do të ketë një marrëveshje disa herë më të favorshme dhe më të drejtë se ajo e 2009”

Në 30 janar 2018, Ministri i Jashtëm Grek Kotzias, gjatë një interviste për televizionin shtetëror ERT u shpreh se “Shqipëria ka pranuar zgjerimin hapësirave ujore greke me 12 milje detare nga bregu, maksimumi që lejohet nga Konventa e OKB-së për Ligjin e Detit”.

Kjo deklaratë e tij nxiti reagim nga shoqëria civile dhe presidenti Ilir Meta i cili kërkoi informacion mbi këtë marrëveshje. Por ish ministri Bushati mohoi të ketë arritur një marrëveshje me shtetin grek.

Pas këtyre deklaratave, çështja mbeti pezull.

Në tetor të 2020, kryeministri Edi Rama njoftoi se mosdakortësia mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit do të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.

Ndryshimi i rrethanava nga pala greke

Në janar 2021, Greqia miraton në parlament dekretin për zgjerimim me 12 milje të detit territorial dhe mbylljen e gjireve të detit Jon me vijë bazë nëpërmjet listës së koordinatave (për të lexuar më shumë për koordinatat e vijës bazë greke klikoni këtu).

Përcaktimi i vijës bazë nga Greqia, sipas Konventës së Montego Bay-t pasjell humbjen e hapësirave të detit territorial shqiptar. Më poshtë po e ilustrojmë me disa figura se si humbet det territorial Shqipëria.

Deti territorial i Shqiperise me vijen e mesit
Deti territorial i Shqipërisë me vijën e mesit
VB Greqi
Vija bazë Greqi
Mbivendosje
Mbivendosje
Rikonfigurimi Final
Rikonfigurimi Final

Siç shihet nga figurat e mësipërme mbyllja e gjirit të Korfuzit përmes përcaktimit të vijës bazë, kufizon më shumë hapësirën e detit territorial të Shqipërisë, pasi zgjerimi me 12 milje do të llogaritet nga vija bazë e miratuar në janar 2021.

Fakt tjetër është se Shqipëria ka mungesë të përcaktimit të koordinatave të vijave bazë në detin Jon, e cila passjell paqartësi për përcaktimin e hapësirës së detit dhe ujërave territorial. Që prej vitit 1990, vendi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të vendosur vijën bazë dhe ilustrimin me koordinata.

Në Kuvend ekziston një projektligj për të shpallur gji historik gjirin e Sarandës, Butrintit, Ksamilit, Himarës, Borshit, Qeparoit dhe Palasës,por ende nuk është miratuar. Përmbajtja e këtij projektligji është aspak serioz pasi në relacionin e tij nuk ka asnjë studim nga institucionet përkatëse shtetërore.

Kështu dërgimi i çështjes së detit në GJND në kushtet e sipërpërmendura mund të sjellë një vendim të përafërt me marrëveshjen e 2009, e cila është shfuqizuar nga GJK. Duke qënë se Shqipëria është pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara, vendimi i GJND-së është i detyrueshëm. Kjo për shkak se ne kemi pranuar juridiksionin e GJND-së për çështje që kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të shqyrtuar vendimin e GJND-së, sepse sipas Kushtetutës ajo mund të shqyrtojë vetëm kushtetueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Çfarë mund të bëjë Shqipëria?

Sipas Konventës së Montegobay, Shqipëria ka mundësi të kundërshtojë dekretin e Greqisë. Por kryeministri përkrahu vendimin e Greqisë dhe nuk ndërmori asnjë hap për ta kundërshtuar, duke e quajtur të drejtë sipas të drejtës ndërkombëtare.

Një tjetër problematikë që sjell dekreti i Greqisë është zbatimi i parimit të ekitesë ose drejtësisë të kërkuar nga Shqipëria. Parimi i ekitesë sipas jurisprudencës së GJND-së është mundësia e korrigjimit të kufijve pas zbatimit të vijës mesore. Ky parim ka për qëllim përcaktimin me ndershmëri të kufijve detare mes vendeve.

Duke qënë se tashmë Greqia ka një vijë bazë, parimi i Ekitesë nëse zbatohet do të marrë në konsideratë vijën bazë të Greqisë.

Kështu zbatimi i këtij parimi me gjasa do të jetë i ndryshëm nga ai që do të ishte para këtij dekreti e rrjedhimisht Shqipëria do të humbasë det territorial.

Hapesirat detare per delimitim Shqipëri - Greqi
Hapesirat detare per delimitim Shqipëri – Greqi

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>