Propaganda në shoqëritë që vijnë prej diktaturave të majta e ka të lehtë të formësojë opinione dhe realitete paralele në gjykimet e njerëzve. Një nga proceset më diabolike të atëbotshme ishte shtrembërimi i realitetit objektiv në funksion të ideologjisë së kohës. Këtë trashëgimi, shoqëria shqiptare e ka ruajtur për mrekulli duke rikthyer sjellje shoqërore që të gjithë mendonin se i përkisnin së shkuarës.
Ajo ç’ka makineria e propagandës po tenton të krijojë është një krisje përfundimtare të raportit të qytetarit me atë që e rrethon. E shkuara, e tashmja, e ardhmja, moti, e mira dhe e keqja tash e tutje janë në një ndyshim permanent ku përkufizimi i njërës apo tjetrës varet rigorozisht prej oreksit politik të pushtetit. Ajo që dje njihej si trashëgimi kulturore, jo vetëm harrohet me ligj, por edhe shuhet përfundimisht nga kujtesa kolektive, ose deri atëherë kur pushteti e sheh të nevojshme ta riktheje përsëri në vëmendjen publike.
Mendimi i dyfishtë, kjo sprovë absurde e një intelektuali që jeton në një realitet ku absurditeti induktohet qëllimisht nga politika, po praktikohet masivisht në çështjen e Teatrit. Krejt papritur, njerëzit që i përkasin një brezi që Teatrin e shihnin si të vetmin mjet argëtimi në kohën e diktaturës, shprehen me bindje të plotë se Teatri është i amortizuar dhe për këtë ai duhet të prishet. Këtu shihet dhe deformimi ideologjik që Rilindja ushtron mbi njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. E vjetra, amorticiteti i së cilës ishte dhe pasojë e natyrshme e kohës, sot i humb vlerat e saj, përkujdesjen e shtetit, simpatinë e njerëzve për vetë faktin se është e vjetër dhe nuk i shërben më funksionit primar si Teatër. Ky utilitarizim patetik tjetërson rrënjësisht konceptin e trashëgimisë. Trashëgimia mbetet e tillë gjer në ditë kur ajo bie pre e hajdutërisë së radhës. Njerëzit mendojnë në këtë mënyrë pa u përsiatur për vlerat historike të Teatrit, pa kujtuar emocionet që ajo skenë i ka dhënë atyre, pa ndjerë keqardhje për tokën publike e cila po vidhet ditën për diell. Njerëzit mendojnë për aq sa propaganda i lejon të mendojnë
Nuk është çudi që në të ardhmen shqiptarët t´i turren një marrie tjetër kolektive. Nëse pushteti mendon shembjen e kalasë së Krujës pse është një objekt i vjetër apo produkti i një epoke të errrët si Mesjeta, njerëzit me shumë mundësi do t´i bashkohen asaj nisme. Fundja ata mendojnë aq sa dhe atë ç’ka pushteti i lejon të mendojnë.