17 pacientë të rinj me Covid-19 u zbuluan në 24 orët e fundit, duke shënuar për ditën e tretë radhazi trend rritës në numrin e të infektuarve ditorë.
Duket se rihapja e pjesës më të madhe të bizneseve dhe lehtësimi i masave të qarkullimit të qytetarëve ka rritur ndjeshëm numrin e të infektuarve.
Shpërndarja e të infektuarve të rinj është:
- 8 në Durrës, duke e çuar totalin e të infektuave aktivë në 17,
- 8 në Tiranë, duke e çuar totalin e të infektuave aktivë në 78,
- 1 në Krujë, duke e çuar totalin e të infektuave aktivë në 46.
Pacientët e rinj në Durrës janë të gjithë punonjës të rrjetit të fasonerive “Endi”. E njëjta fasoneri, por dega në Krujë ishte fasoneria, e cila u bë vatra e infeksionit në këtë qytet. Deri tani në fasonerinë në Durrës janë infektuar 14 punonjës.
Në Tiranë e Krujë të infektuarit e rinj janë kontakte të pacientëve të mëparshëm.
Në Berat, ku prej disa ditësh ka një vatër të re infeksioni dhe ISHP testoi 90 persona të dyshuar, nuk ka rezultuar asnjë i infekuar i ri.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu paralajmëroi dje se qeveria mund të rikthejë masat kufizuese ndaj qytetarëve, nëse vazhdon trendi rritës i të të infektuarve ditorë.