Deklaratat e çuditshme të ndërkombëtareve për zgjedhjet

Nga Vincent Van Gerven Oei
Deklaratat e çuditshme të ndërkombëtareve për zgjedhjet

Duke ecur rrugës për të blerë byrek tek dyqani i preferuar në lagjen time, Policia bashkiake kishte filluar sërish në mënyrë banditeske, të përndiqte fshatarët e varfër, duke i abuzuar ato fizikisht dhe verbalisht, dhe duke e bërë jetën e tyre, në mes të vapes, edhe më të mjerueshme se sa është aktualisht. Tani që fushata mbaroi, kryebashkiaku i Tiranës mund të fillojë sërish të shfaqë fytyrën e tij të vërtet.

Sa çudi, mendova me vete, të gjithë ndërkombëtarët deklaruan, njëri pas tjetrit, që zgjedhjet ishin “përgjithsisht” “të përshatshme” dhe “efikase”. Të përshtatshme për çfarë? Efikase për çfarë? Me një fitore e cila është përshendetur si nga Angela Merkel dhe nga Taip Erdogan diçka duhet të jetë thelbësisht gabim.

Por, le ta shikojmë situatën duke u shkëputur nga modestia e shtirur e partisë fituese dhe luftës së brendshme në partinë humbëse, dhe të shohim pamjen e vërtetë të kushteve nën të cilat këto zgjedhje u zhvilluan.

Në vitin 2015, misioni i OSBE-ODIHR hartoi një raport i cili përmbante një sërë “rekomandimesh të rëndësishme” për të përmirësuar procesin zgjedhor në Shqipëri. Përmbushja e këtyre rekomandimeve u bë një element i rëndësishëm i “pësë kushteve kyçe të BE-së” për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Por si SHBA-të ashtu edhe BE harruan të thonin në mesazhin urues drejtuar “popullit shqiptarë” se asnjë nga këto rekomandime nuk u plotësua.

Një nga rekomandimet ishte depolitizimi i KQZ-së, si dhe të gjitha institucionet rajonale dhe vendore të zgjedhjeve. Kjo nuk ndodhi. Një tjetër rekomandim ishte “fshehtësia e votes” e cila duhet të sigurohet duke shmangur “çdo asociim ndërmjet votës dhe votuesit specifik”. As kjo nuk u plotësua.

Përveç faktit se gati të gjitha rekomandimet e OSBE-së u injoruan kategorikisht nga qeveria dhe nga opozita, marrëveshja McAllister ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, sikurse e kam sqaruar edhe më parë, minoi tërësisht Kodin Zgjedhor, bazën e zhvillimit të zgjedhjeve të ndershme.

Partitë e vogla ishin në disavantazh nga marrëveshja për mos regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, dhe rezultati është ky që shohim. PDIU, megjithëse, dyfishoi numrin e votave në rang kombëtar, humbi një deputet në krahasim me 2013.

Ndërsa, partitë e reja LIBRA dhe SFIDA —vetëm disa javë më parë ishin shpresa e Vlahutinit dhe Lu-së për opozitë të “vërtet”— nuk arritën të fitonin asnjë deputet.

Të gjitha bisedimet e minutës së fundit ndërmjet Ramës dhe Bashës gjtihashtu shkaktuan mungesë të rëndë në parapërgatitjen e një qind komisionerëve të nevojshëm për të drejtuar procesin e votimit dhe numërimit të votave. 24 orësh përpara zgjedhjeve dhjetra komisioner ishin të ende të pa trajnuar. Për këtë isha vetë dëshmitarë si vëzhgues në një shkollë në një godinë të nxehtë të Yzberishtit.

Ndaj kur ndërkombëtarët vlerësojnë Shqipërinë për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve, dhe kur ato urojnë njeriun, i cili tani ka shumicën absolute në Kuvend, ato me siguri nuk flasin për ligjshmërinë e votës. Ato nuk i referohen kushtetueshmërisë së votës. Ato injorojnë edhe rezultatin e zgjedhjeve, i cili u njoftua 22 orë pas afatit ligjor. Dhe se më pak se 50 për qind e popullsisë nuk votoi, si pasojë e zhgënjimit të thellë me këtë sistem politik. Asgj nga këto nuk i shqetësoi ato. Është e parëndësishme për planet e tyre dhe sigurisht e parëndësishme për karrierën e tyre.

Eurodeputeti Eduard Kukan e përmblodhi në mënyrë të zbukuruara ndërkombëtarisht këtë zhgënjim të masës:

Një klimë politike e qetë duhet të jetë një standart i qendrueshëm i proceseve zgjedhore në vend. Kësaj radhe situata ishte më e qetë, edhe falë marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe opozitës e cila u arrit disa javë përpara zgjedhjeve. Unë e përsëris, Shqipërisë i duhet një klimë e qetë gjatë ballafaqimit zgjedhor. Kjo krijon besim dhe siguri tek populli.

Më shumë se Shqipërinë, BE dhe SHBA-të kanë urur tashmë veten për krijim dhe ruajtje e “qetësisë” dhe “stabilitetit”. Jo demokracinë, jo zbatimin e ligjit, por stabilitetin. Në katër vitet e ardhshme ne do të shohim se sa ky “stabilitet” do të na kushtoi —dhe, me shumë mundësi në vazhdimësi, çfarë do t’i kushtojë ndërkombëtarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>