Studentët shqiptarë kanë mbushur rrugët në protesta për më tepër se dy javë, duke kërkuar të drejtën e tyre për arsim më të mirë, pa pengesa tarifore dhe pa ndikime korruptive.
Ndërkohë që protestat dhe kërkesat e tyre janë mbështetur nga shumë organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, nga gazetarë, portale, organizata studentore, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka qëndruar krejt në heshtje. Më në fund, pas kritikave nga media e pavarur dhe anëtarë të shoqërisë civile, në ditën e 14-të të protestave Delegacioni ka lëshuar një deklaratë në Facebook.
“[…] E drejta për arsim është qendrore në çdo shoqëri. Ashtu siç është lufta kundër korrupsionit. Tani është koha për të ndërtuar një dialog që siguron që këto kërkesa të përkthehen në zgjidhje konkrete dhe praktike.”
Studentët protestues e kanë bërë vazhdimisht të qartë se nuk kanë ndërmend të nisin dialog me qeverinë, pasi këtë e konsiderojnë si shpërqendrim dhe krejtësisht të panevojshme. Ata kanë theksuar faktin se kërkesat e tyre janë shumë të qarta dhe se, rrjedhimisht, ata do të nisnin dialog me qeverinë vetëm pasi qeveria të ketë pranuar të plotësojë kërkesat e tyre.
Edi Rama ka qenë i palëkundur në arrogancën e tij për të mos iu dorëzuar kërkesave shumë të arsyeshme të studentëve. Nga ana tjetër ai ka ndërmarrë një fushatë keqinformimi, ka postuar video e mesazhe tallëse e shpërqendruese në mediat sociale, dhe ka bërë që të nisë një fushatë fajësuese ndaj studentëve.
Qëndrimi i BE-së në lidhje me protestat ka shkaktuar zemërim tek shumë studentë dhe anëtarë të shoqërisë civile, të cilët e kanë kritikuar Delegacionin për këtë përgjigje të dobët. Kritikat kanë përfshirë edhe mbështetjen në dukje ndaj thirrjes së Edi Ramës për megociata dhe diaog, dhe jo për t’u përqendruar tek kërkesat e studentëve dhe arsyet që kanë çuar në këto kërkesa.
Ndërkohë që disa studentë dhe pedagogë kanë nisur të marrin pjesë në takime me Ramën, lëvizja bazë e studentëve i ka qëndruar fort kërkesave. Këta të fundit duhet të kishte mbështetur edhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri.