Gazeta gjermane Der Spiegel e ka konsideruar fitoren e Albin Kurtit si rënie të autokracisë në Kosovë dhe sinjal të fortë për të gjithë rajonin.
Artikulli i titulluar “Anti-Autokrati” është shkruar nga gazetari Keno Verseck, i cili thotë:
“Për gati dy dekada Kosova është qeverisur nga ish-komandatë të Ushtrisë Çlirimtare, të cilët kanë qënë të korrptuar dhe ndaj tyre janë ngritur akuza për krime lufte. Me fitoren e Kurtit, Kosova po hyn në një fazë të re. Albin Kurti gëzon reputacion të mirë në popull dhe njihet si njëri i pakorruptuar. Ai premtoi ndryshime rrënjësore drejt shtetit të së drejtës, mirëqeverisjes dhe mirëqënies sociale”.
Në lidhje me formimin e qeverisë, gazetari i Der Spiegel sqaron se Kurti po has vështirësi me formimin e koalicionit me partinë e Ibrahim Rugovës, Lëvizjen Demokratike të Kosovës (LDK). Por sipas Der Spiegel LDK ka qënë pjesë e sistemit të korruptuar, pavarësisht se kandidatja e saj Vjosa Osmani shihet si politikane me integritet.
Gazeta gjermane tregon se “ardhja e Kurtit në pushtet ndodhi në një kohë kur Kosova po përballet me çështje delikate”:
“Do të jetë interesante të shihet se si ai krijon administratën shtetërore funksionale, dëshiron të luftojë korrupsionin dhe dëshiron të luftojë varfërinë nëpërmjet politikave të mira sociale. Ai paraqet me një vetëbesim anti-kolonial përballë fuqive të huaja, të cilët sipas tij janë shumë të shqetësuar me elitën e korruptuar. Marrëdhënia me Serbinë mund të jetë edhe më e stuhishme se më parë. Kurti kërkon dialog me qytetarët kosovarë mbi dialogun me Serbinë para se të rinisin bisedimet dypalëshe. Ai kundërshton pjesëmarrjen deputetëve serbë të kontrolluar nga Beogradi në qeveri, por ai dëshiron të bashkëpunojë me politikanë të pavarur serbë”.
Gjithsesi gazetari Keno Verseck i konsideron zgjedhjet në Kosovë si sinjal të fortë për Balkanin dhe Bashkimin Europian. Sipas tij, “këto zgjedhje treguan qartë se qytetarët janë të lodhur me klasën e korruptuar politike”.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit si Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina, ku mijëra qytetarë protestuan kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, kosovarët thjesht votuan kundër korrupsionit dhe autokracisë.