Shumica e kompanive amerikane në Shqipëri nuk pushuan punonjës, por një pjesë e tyre po planifikojnë ta bëjnë një gjë të tillë nëse situata ekonomike nuk përmirësohet.
Një anketim i bërë së fundmi nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) ku morën pjesë 175 kompani, tregoi se 145 prej tyre (83%) nuk kishin pushuar punonjës gjatë periudhës mars-prill, ndërsa 30 kompani të tjera (17%) kishin pushuar 464 punonjës.
Në përgjithësi kompanitë deklaruan gatishmëri për të mbrojtur punonjësit, duke i parë ata si kapital të çmuar dhe se do t’i konsideronin pushimet nga puna vetëm si masë të fundit për t’u mbrojtur nga kriza.
Por, nëse situata ekonomike nuk do të përmirësohet, rreth 16 kompani të tjera (9%) po planifikojnë shkurtime me mbi 660 punonjës në 2 muajt e ardhshëm.
AmCham përfaqëson në total 224 kompani në Shqipëri, të cilat punësonjë rreth 38 mijë persona.
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që për shkak të epidemisë prodhimi kombëtar vendas i Shqipërisë të bjerë me 5 për qind në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë.
Qeveria aktualisht ka bërë publik vetëm dy paketa ndihme ekonomike për të papunët dhe sipërmarrësit e vetëpunësuar të cilët janë prekur nga epidemia.
Për të zbutur efektet e mundshme AmCham i ka propozuar prej kohësh qeverisë marrjen e disa masave, ndërkohë që opozita gjithashtu ka kërkuar paketa më gjithëpërfshirëse ndihme për bizneset.