Dhoma Amerikane e Tregtisë, 4 propozime qeverisë si të ndihmojë biznesin nën epidemi

Nga Exit News
Dhoma Amerikane e Tregtisë, 4 propozime qeverisë si të ndihmojë biznesin nën epidemi

Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) i drejtoi qeverisë të mërkurën një letër të hapur, ku i kërkonte lirimin e masave kufizuese për biznesin dhe gjithëpërfshirje në paketat ekonomike.

Në letrën e hapur, AmCham vlerëson masat kufizuese si politikë e duhur kundër përhapjes së epidemisë, por vë re me shqetësim efektet negative që po has biznesi.

“[…] Një numër i madh biznesesh u është dashtur të zvogëlojnë ose pezullojnë aktivitetin […] ata po përjetojnë rënie të konsiderueshme të të ardhurave, kjo po pengon që shumë prej tyre të përmbushin edhe detyrimet financiare.

AmCham i bën thirrje qeverisë të ndërmarrë disa hapa për të mbështetur të gjithë punëdhënësit në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.”

Për këtë situatë AmCham i propozoi qeverisë 4 hapa:

  • Gjithëpërfshirje e biznesit në Fondet e Emergjencës Covid-19
  • Gjithëpërfshirje në pagesat e papunësisë për të gjithë punonjësit pavarësisht statusit të kompanive ku punojnë
  • Shtyrje të parapagimit të taksave për vitin 2020
  • Konsultim me grupet e interest përpara marrjes së vendimeve me pasoja për bizneset

AmCham ka propozuar masa të ngjashme që prej 18 marsit, por duket se qeveria nuk i ka marrë ato parasysh.

Propozimet dhe shqetësimet e AmCham morën mbështetjen e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili përmes një postimi në Facebook, u shpreh se qeveria duhet të rishikojë buxhetin me përparësi shëndetësinë dhe ekonominë.

“I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin […] qeveria duhet të rialokojë fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe t’i vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.”

Opozita shprehet skeptike se paketa 3-mujore prej rreth 50 milionë eurosh ndihmë për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, nuk i mbulojnë dot nevojat e krizës.

Prej 10 marsit mijëra biznese kanë pezulluar aktivitetin, sipas masave kufizuese të vendosura nga qeveria për të ndalur përhapjen e epidemisë së koronavirusit.

Shumë biznese të tjera janë gjobitur për shkelje të masave kufizuese, ndërsa aktualisht në paketën e ndihmës ekonomike janë përfshirë vetëm sipërmarrjet e vogla dhe punonjësit e tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>