Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio, ka shprehur kundërshinë e vendit të tij mbi planet për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor si dhe ka mbështetur si të pa diskutueshme pavarësinë e Kosovës.
Gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, Di Maio mbajti një fjalim në Kuvend ku u ndal në disa pika të rëndësishme si çështja e kufijve, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe dialogu Kosovë – Serbi.
Di Maio i konsideroi si provokime dhe thirrje okulte diskutimet për ndryshim kufijsh.
“Vetëm një perspektivë konkrete evropiane është në gjendje të shfuqizojë rifillimin e nacionalizimit dhe aventurizmin e caktuar politik, që do të donte të kthente Ballkanin 30 vjet pas”, deklaroi ministri italian.
Kreu i diplomacisë së Romës bëri thirrje që të ecet përpara me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, pasi kjo sipas tij është në favor të të dyja palëve.
“Evropa nuk mund të thotë se është e bashkuar në një çati, për aq kohë sa Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e Bashkimit Evropian”.
Di Maio inkurajoi vazhdimin e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme për të ardhmen.
Ai theksoi se Kosova nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ky proces, pasi pavarësia dhe sovraniteti i saj territorial nuk janë në diskutim.
“Që të mund të shikoni përpara, nevojitet një vizion politik dhe forcë për të bërë gjeste konkrete pajtimi. Mbi të gjitha identifikimi i personave të pagjetur gjatë konflikteve të mëparshme dhe kthimi i mbetjeve te familjet e tyre, janë një domosdoshmëri morale dhe akt urgjent për kthimin e dinjitetit për viktimat”, ka deklaruar Di Maio.
Para fjalimit të ministrit italian, kryeministri Kurti e falenderoi atë për mbështetjen që ka treguar Italia ndaj Kosovës.
Kurti nënvizoi se Kosova është e interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje me Serbinë por sipas tij “zgjidhje mund të jetë vetëm njohja e pavarësisë sonë”.