Disa organizata në Shqipëri, pêrfshirë edhe diasporën, i kanë dërguar kërkesë mbi 60 eurodeputetëve të Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të BE të “shprehen në mënyrë kritike” ndaj partive në Shqipëri, nisur nga deklarata e Luljeta Bozos.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë së bashku me Qëndresën Qytetare dhe Pan Albania Federation of America nisën këtë kërkesë. Ata shprehen se janë “të tronditur nga relativizmi i komunizmit nga znj. Bozo”.
Organizatat kërkojnë nga BE që të kritikojnë kandidatët të cilët “normalizojnë ndikimin shkatërrimtar dhe krimet e regjimit totalitar komunist në vend”.
Luljeta Bozo është kryesuesja e listës së Partisë Socialiste në Tiranë. Ajo kandidon për deputete e PS.
Pak ditë më parë një video me një deklaratë të saj shkaktoi një reagim publik. Në këtë video Bozo shprehej se “po t’i vendosësh në peshore, komunizmi ka pasure më shumë të mira se të këqija”.
Regjimi komunist i Shqipërisë ishte një nga më brutalët dhe shtypësit. Gjatë pothuajse 50 viteve, pati rreth 34,134 të burgosur politikë, 984 të burgosur që vdiqën në burg, 59,009 të internuar, 7022 të vrarë në mërgim, 6023 të vrarë gjatë regjimit dhe 308 të cilët vuajtën probleme të rënda të shëndetit mendor në burg.
Trupat e të zhdukurve janë rreth 6000, të cilët ende nuk janë gjetur ose kthyer në familje.