Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka mbështetur idenë e krijimit të së ashtuquajturës “botë serbe”.
Dodik tha se kjo ide ka për qëllim bashkëpunimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor serb” dhe se nuk do të drejtohej kundër askujt.
“Kjo ide ka për qëllim bashkëpunimin dhe ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës serbe. Këtë gjë e kanë bërë shumë popuj para nesh dhe askush nuk ka bërë probleme. Por, kur serbët dalin me këtë ide, menjëherë bëhet zhurmë dhe ngrihen tensionet”, tha Dodik, raporton REL.
Krijimi i “botës serbe” është një ide që u artikulua më 18 korrik nga Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin gjatë një tubimi të partisë së tij.
Vulin tha se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.
Dodik tha se e përkrah, sepse është “patriotike dhe nuk ka kurrfarë pretendimesh territoriale”.
Një ditë më herët, anëtari mysliman i Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, tha se deklaratat e Vulinit “kujtojnë vitet ‘90”, kur rajoni i ish-Jugosllavsë u përfshi nga luftra të përgjakshme.
Deklaratat e Vulin nxitën reagime në Ballkan dhe u panë si kërcënim për stabilitetin e rajonit.
Në përgjigje të reagimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe se Serbia nuk merret me kufijtë e të tjerëve.