Dozat e para të vaksinës Pfizer pritet të vijnë në vend mbrëmjen e 1 shkurtit.
Kështu njoftoi Kryeministri Rama, paraditen e së hënës, në një deklaratë për media.
Ai tha se kompania nuk ka dërguar 10,750 doza, aq sa ishte rënë dakord për dërgesën e parë. Por sasia që do të vijë do të përdoret për t’i dhënë mjekëve dhe infermierëve dozën e dytë të vaksinës.
Rama shtoi se qeveria po bisedon me kompaninë AstraZeneca për të marrë vaksinën e prodhuar prej saj, si dhe me tre shtete.
Vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve në frontin e parë të luftës me Covid-19 nisi në 11 janar, me me 975 doza të vaksinës Pfizer dhuruar nga një vend ende i panjohur.
Marrja e dozës së dytë është planifikuar të nisë në 2 shkurt.