Drejtori i Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) Thoma Gëllçi i kundërshtoi gjetjet e OSBE-së për RTSH-në në raportin për zgjedhjet e 30 qershorit. Ai i quajti ato “thashetheme” dhe “të pavërteta”.
Në Forumin e 5-të të Medias, organizuar në Tiranë nga misioni i OSBE-së, ku ishin të pranishëm Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchard, Ambasadori i BE Luigi Soreca, përfaqësuesit e OSBE-së nga e gjithë rajoni, Këshilli i Evropës, gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile, Zoti Gëllçi u përplas më Përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Adis Mustedanagić.
Kur ky i fundit ngriti një sërë shqetësimesh për të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” të propozuar nga qeveria, drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi foli gjerësisht për rëndësinë e pavarësisë së mediave, autonomisë dhe paanshmërisë.
Kur u vu përballë faktin se drafti i fundit i raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit thoshte se ai ka qenë “ish-kryeredaktor i gazetës së Partisë Socialiste “Zëri i Popullit”; drejtor i Departamentit të Informacionit në disa qeveri socialiste, dhe se RTSH mbetet pjesërisht e varur nga fondet e shtetit “duke rritur” shqetësimet për paanshmërinë dhe politizimin e saj, Gëllçi u përgjigj se përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të ishin “viktima të thashethemeve”.
“ODIHR është viktimë e thashethemeve nga ata që po përhapin të pavërteta të qëllimshme,” tha ai.
Ai tha se RTSh i ka mbuluar zgjedhjet në mënyrë të drejtë, dhe se si Partia Demokratike ashtu edhe LSI ishin shumë të kënaqura me mënyrën se si u mbuluan zgjedhjet e 30 qershorit nga transmetuesi shtetëror.
Raporti i OSBE-ODIHR, megjithatë, vuri në dukje se RTSH ishte “margjinalisht neutrale” dhe e mbuloi fushatën e PS-në me komente “neutrale dhe pozitive”. Në raport po ashtu shkruhet se “kanali kryesor i RTSH-së, RTSH1, shërbeu kryesisht si një platformë për të promovuar Partinë Socialiste.”