Drejtuesit më të lartë të vendit mbahen nga gratë dhe mamatë

Drejtuesit më të lartë të vendit mbahen nga gratë dhe mamatë

Pasuritë e pazakonta dhe jetesa luksoze e shumë politikanëve dhe funksionarëve shtetërore nuk mund të fshihet më nga sytë e publikut. Duke qenë se nuk kanë ndonjë justifikim të ligjshëm për këto pasuri, të vëna me shumë gjasa në mënyrë korruptive, shumë prej tyre po i justifikojnë publikisht si të dhuruara nga familjarët. Gratë, prindërit dhe prindërit e grave janë, tashmë, moda më e fundit e justifikimit të kamjes nga drejtuesit e zyrtarët e lartë të vendit.

Janë, pothuajse pa përjashtim, jo vetëm justifikime të pabesueshme, por edhe qesharake: burra të mëdhenj që i kërkojnë popullit t’i mbajë në krye të punëve të kombit, duke u përbetuar për zotësitë e tyre, vetë e sigurojnë jetesën nga gratë, mamatë apo vjehrrat e tyre.

Mes tyre është edhe Kryeminsitri Rama, i cili deklaroi mbrëmë se shtëpinë e tij dhe udhëtimet luksoze të kohëve të fundit i ka bërë me paratë e gruas, duke shtuar se kë gjë e ka edhe për mburrje. Pak javë më parë, i kishte quajtur me përçmim parazitë dhe dembelë meshkujt shqiptarë që, sipas tij, jetojnë në kurriz të grave.

Më poshtë disa nga pretendimet më interesante të disa prej drejtuesve tanë më të lartë dhe më të pasur.

Edi Rama, Kryeministër, 12 janar 2016:

“Isha pa shtëpi, e më thoshin se ka 200 shtëpi. Pastaj u bëra unë me shtëpi, falë gruas dhe e them me mburrje.”

“Në Majami isha për një vizitë private. Shpenzimet i pagoi ajo që bën bilancet në shtëpinë time, gruaja ime.”

Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit, 5 janar 2016:

“Pronat dhe pasuritë që ka bashkëshortja ime dhe nëna e saj, me të cilën ne jetojmë prej kaq vitesh, janë 7-8 herë më të mëdha se sa dy shtëpitë që ne banojmë në Tiranë dhe Lalëz.”

Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë, 15 shtator 2014:

“Dasma ime ishte modeste, nëna ime kishte kursyer për atë ditë. Ceremoninë e dytë e mbuloi familja e nuses.”

Gjin Gjoni, anëtar i Këshilit të Lartë të Drejtësisë, 23 prill 2014:

“Ora që kam në dorë është dhuratë. Vlera e orës është një vlerë normale, që e kam dhuratë nga bashkëshortja ime. Nusja ime ka disa biznese private dhe merr 6 -7 mijë euro në muaj rrogë. Ka deklaruar rreth 50-60 mijë euro rrogë vjetore dhe deklaron një fitim nga vetëm një kompani prej 200 mijë eurosh.”

Aludin Malaj, Kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë, 27 tetor 2015:

“Sot kam të ardhurat e pagës dhe bordeve, bashkëshortja ka të biznesit të noterisë, prindërit e mi të bizneseve të tyre. Nuk është disfatë e madhe të jesh fëmijë i dy prindërve shembullorë. Më kanë bërë të mos jem i varur asnjëherë prej njeriu dhe të mos i bie në qafë njeriu.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>