Dy burra-profesorë, një grua-ministre luajnë “ping-pong” me të ardhmen e studentëve të FEUT-së

Nga Marash Logu
Dy burra-profesorë, një grua-ministre luajnë “ping-pong” me të ardhmen e studentëve të FEUT-së

Imagjinoni dy burra që luajnë ping-pong me njëri-tjetrin dhe një grua arbiter që qendron indiferente ndaj lojës. Tani, mendoni që në vend të topit, ajo që ata i gjuajnë me ashpërsi njëri-tjetrit është e ardhmja juaj.

Do ishte e pandjeshme, revoltuese, e paligjshme.

Kjo është situata skandaloze ku gjenden 315 -ish-studentë të masterit në Fakultetin e Ekonomisë (FE) të Universitetit të Tiranës (UT).

Dy burrat që luajnë ping-pong me të ardhmen e tyre janë Dekani Dhori Kule dhe Rektori Mynyr Koni. Gruaja, e cila duhet të bënte arbitren por rri dhe bën sehir, është Ministrja e Arsimit Besa Shahini.

Çfarë ka ndodhur në Universitetin e Tiranës?

Ligji për Arsimin e Lartë dhe rregullat parashikojnë se në fillim të vitit akademik fakultetet i dërgojnë rektorit listën e studentëve të regjistruar.

Rektori, pasi kryen verifikimin formal të listave të dërguara, ia përcjell ato, brenda një afati të përcaktuar, Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA)—strukturë në varësi të Ministrisë së Arsimit—për të pajisur studentët me numrat e matrikullimit. Këto të fundit janë kodet identifikuese që shoqërojnë studentët nga momenti i regjistrimit në universitet deri në marrjen e diplomës së studimeve.

Në tetor 2017, janë regjistruar studentët për programet master në Fakultetin e Ekonomisë, UT. Lista e studentëve të regjistruar nuk i është përcjellë rektorit, siç parashikon ligji, por i është dërguar drejtpërdrejt QSHA-së. Kjo e fundit, duke mos respektuar procedurën, i ka pajisur studentët me numrat e matrikullimit tre muaj pas kalimit të afatit të përcaktuar në aktet nënligjore.

Në këto veprime ka katër shkelje ligjore nga FEUT dhe QSHA. Së pari, fakulteti nuk ka respektuar procedurën për përcjelljen e listave të studentëve pranë rektorit të UT-së.

Së dyti, fakulteti i ka dërguar listat në QSHA në datën 30 Nëntor, ndërkohë që udhëzimi i Ministrit të Arsimit parashikonte datën 15 Nëntor si afat përfundimtar.

Së treti, QSHA-ja, pavarësisht mosrespektimit të procedurës dhe afatit nga fakulteti, i ka pajisur studentët me numrat e matrikullimit.

Së katërti, pajisja e studentëve me numrat e matrikullimit në datën 28 Mars 2018, është bërë tre muaj pas afatit të përcaktuar në udhëzimin e Ministrit, që përcaktonte datën 31 Dhjetor 2017, si afat fundor.

Megjithatë, studentët në mirëbesim me fakultetin dhe universitetin e tyre, kanë vijuar studimet duke përmbushur detyrimet e tyre—ndjekjen e rregullt të leksioneve dhe seminareve, dhënien e provimeve, pagesën e tarifave vjetore, mbrojtjen e temave të diplomës dhe pagesën për lëshimin e kartonit të diplomës.

Në përfundim të këtij procesi, ata kanë kërkuar pajisjen me diplomat e studimeve për t’iu dhënë mundësi për të vazhduar karrierat e tyre: për t’u punësuar, për të studiuar jashtë Shqipërisë, për të vazhduar studimet e doktoraturës, për të kërkuar rritje page apo promovim në detyrë në përputhje me nivelin e ri të shkollimit, etj.

Me gjithë problemet e serioze përshkruar më sipër që kanë shoqëruar procesin, në Janar 2020, dekani i Fakultetit të Ekonomisë i ka dërguar për nënshkrim rektorit të UT-së diplomat e studentëve që kishin përfunduar studimet master. Ky i fundit, në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë dhe statutin e universitetit, ka refuzuar t’i nënshkruajë diplomat, duke i mbajtur mbi tryezën e punës thuajse për gjashtë muaj.

Vetëm një ditë përpara se çështja të bëhej mediatike, rektori ia ka kthyer diplomat dekanit të fakultetit, me argumentimin se rektorati nuk ka të dhëna për këta studentë, prandaj ai nuk mund t’i firmosë diplomat.

Me të drejtat e tyre të shkelura prej dy nga drejtuesit më të rëndësishëm akademik të vendit, javën e shkuar, 150 studentë i drejtuan një peticion Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Ekonomisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar pajisjen e menjëhershme të tyre me diplomat e studimeve.

Studentët kanë deklaruar se nëse kjo çështje nuk zgjidhet menjëherë ata do t’i drejtohen gjykatës, të urdhërojë UT-në për lëshimin e diplomave dhe shpërblimin e dëmit që u është shkaktuar me vonesën prej më se një vit.

Përgjigjet e Fakultetit, Ministrisë dhe Universitetit ishin zhgënjyese. Më shumë se për hallin e studentëve, ata ishin të shqetësuar t’ia hidhnin fajin njëri-tjetrit.

Si në një lojë ping-pongu, Fakulteti dhe Universiteti hidhnin dhe prisnin akuza me njëra-tjetrën, ndërsa Ministria thuajse indiferente u kujton parimin e autonomisë së universiteteve dhe se problemet e brendshme duhet t’i zgjidhnin vetë, pavarësisht se një nga institucionet që ka shkelur ligjin, QSHA-ja, është në varësi të saj.

Në gjithë këtë hedhje-pritje akuzash, thuajse askush nuk u kujtua se 315 studentë enden prej mëse një viti sa në dyert e Fakultetit, sa të Universitetit e sa të Ministrisë pa marrë zgjidhje.

Në çdo shtet e shoqëri demokratike, një situatë e tillë do të përbënte skandal aq të madh sa nuk do të ishte çudi largimi apo shkarkimi i përgjegjësve.

Por, në Shqipërinë tonë, në vend të diplomës dhe urimit për suksese të mëtejshme, studentët marrin një tufë me shkresa të padobishme, dhe duhet të shikojnë si burra dhe gra të pushtetshëm dhe arrogantë për rëndësinë që kanë luajnë si fëmijë egoistë me të ardhmen e tyre.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>