Edi Rama është përpjekur sot që përmes një retorike të përgjithshme të shmangë përgjegjësinë për korrupsionin dhe kriminalizimin, duke pretenduar se në Shqipëri sundon shteti i së drejtës dhe drejtësia mund të bëjë punën e saj pa u penguar nga ai dhe politika.
Rama ka propaganduar idenë se pas reformës në drejtësi, drejtësia është tashmë e pavarur dhe efikase dhe është ajo që do luftojë korrupsionin.
“Nuk janë politikanët, zyrtarët e lartë, por elita e korruptuar e gjyqësorit dhe drejtësisë që ka bërë pazar 30 vite me të drejtat e dynjasë. I ka dhënë licencë krimit që të bëjë ça të bëjë”, tha Rama gjatë prezantimit të Kryenegociatorit me BE-në, Zef Mazi.
Në fakt, Kuvendi miratoi në 2016 një ligj të posaçëm, i cili ndalonte kandidimin e personave të inkriminuar që të punësoheshin në administrate dhe të zgjidheshin në poste publike.
Me fillimin e zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, në të vërtëtë ishte Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar dhe kryebashkiakët e saj ata që u prekën më shumë.
Madje, PS në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 kandidoi të paktën 5 kandidatë të verifikuar deri më tani që janë në shkelje të këtij ligji, pasi kanë fshehur dënimet e marra në të shkuarën.