(Ekskluzive) Si më 2017, PD kërkon zyrtarisht qeveri të përbashkët parazgjedhore me PS-në

Nga Redaksia
(Ekskluzive) Si më 2017, PD kërkon zyrtarisht qeveri të përbashkët parazgjedhore me PS-në

PD ka kërkuar tashmë edhe zyrtarisht krijimin e një qeverie të përbashkët me PS-në, 100 ditë para zgjedhjeve, me mision kryesor kujdesjen për administrimin e zgjedhjeve parlamentare.

PD i ka paraqitur, sot, tryezës katërpalëshe të Këshillit Politik një propozim në dukje teknik, për rolin e policisë në zgjedhje, një kopje të të cilit e ka shqyrtuar Exit News.

Në propozim i bëhet referencë një ministri të brendshëm në një qeveri kujdestare, që do të krijohet pasi të ndryshohet ligji që rregullon funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Sikurse është shprehur sot publikisht Zoti Gjiknuri, kjo referencë për një ministër në qeveri kujdestare është konsideruar propozim politik nga Këshilli Politik, dhe si i tillë përtej objektit të tryezës katërpalëshe. Për këtë arsye Këshili nuk e ka marrë në shqyrtim.

Të njejtin qendrim konfirmoi, për Exit News, Zonja Rudina Hajdari, e cila u shpreh se për opozitën parlamentare prioriteti kryesor është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Detajet e propozimit të PD-së janë të pakta. Zyrtarisht PD konfirmoi sot për Exit News se  kërkon një qeveri së cilës ajo i referohet me termin “qeveri kujdestare”. Përmes zyrës së shtypit, PD u shpreh se detajet do të bëhen publike vetëm kur ajo të paraqesë një projekt-ligj për ndryshimin e mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave.

Exit News ka konfirmuar nga burime konfidenciale se PD pranon që qeveria e përbashkët kujdestare mund të ketë përbërje politike dhe të drejtohet nga një kryeministër politik të emëruar nga PS , mjaft që ai të mos jetë Kryeministri i tanishëm Edi Rama.

Propozimi i PD-së është kopjim i të ashtuquajturit “model maqedonas”, të cilin e kemi shpjeguar hollësisht në këtë artikull të mëparshëm. Sipas këtij varianti, ndërrohen Kryeministri dhe dy ministra, i Brendshmi dhe i Çështjeve Sociale, por pjesa tjetër e qeverisë mbetet e pandryshuar.

Është model që nuk ka lidhje me asnjë praktikë tjetër në historinë politike botërore dhe që madje është kritikuar nga vetë arkitekti i tij ish-Kryeminsitri Zoran Zaev.

Në një ndryshim të vogël nga modeli maqedonas, Partia Demokratike ka kërkuar edhe ndërrimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë po 100 ditë para zgjedhjeve.

Në qeverinë e përbashkët të vitit 2017, PD zgjodhi Drejtorin e Përgjithshëm të OSHE-së dhe të ALUIZNI-t, por nuk dihet nëse edhe këto institucione do të kërkohen prej saj edhe në qeverinë e përbashkët të kësaj here.

Pyetjeve të Exit News për konfirmimin e elementëve të mësipërm, PD refuzoi t’i përgjigjej duke pohuar se do t’i merrnim vesh kur ajo të vendosë t’i bëjë ato publike.

Burime për Exit News nga Partia Socialiste kanë bërë të ditur se Kryeministri Rama është i gatshëm të bëjë qeveri të përbashkët me PD-në, por me kushtin që të mbetet ai në krye të kësaj qeverie.

Këto burime u shprehën se negociatat me PD-në për një qeveri të përbashkët parazgjedhore po zhvillohen në kanale të tjera nga ato të diskutimit të reformës zgjedhore dhe janë konfidenciale.

Sipas këtij burimi, fillimisht PD ka propozuar një qeveri krejtësisht teknike, pra, me ministra që nuk kanë qenë pjesë e politikës aktive vitet e fundit, por ky propozim është hedhur poshtë nga Edi Rama, i cili nuk ka pranuar ta konsiderojë  një propozim të tillë.

Megjithatë, Kryeministri Rama është shprehur i gatshëm në parim të bëjë qeveri të përbashkët me PD-në, por me kushtin që të mbetet ai në krye të kësaj qeverie.

Por duke qenë se PD e konsideron kusht kryesor dorëheqjen e Edi Ramës nga kryeministër, aktualisht ka një ngecje të negociatave.

Kjo gjendje është komentuar disa javë më parë në një artikull nga Skënder Minxhozi, i cili hedh dritë mbi disa elementë të kërkesës së PD-së.

Mbetet e paqartë se si do të arrijë PD të detyrojë Ramën të tërhiqet, por duket se pozicioni i Kryeministrit është, të paktën për tani, i pacënueshëm dhe ekziston mundësia që PD mund të tërhiqet sërish në një kauzë të dëshpëruar pa rezultat, e cila do të dëmtojë imazhin e saj në prag të fushatës për zgjedhjet e qershorit 2021.

3 komente

  1. Albi_I 12 Shkurt, 2020 në 9:21 pm

    Nuk i ben Luli keto. Ai kur thote “Jo”, e mban fjalen. E ka treguar qarte kete.

  2. Meli 12 Shkurt, 2020 në 9:36 pm

    Jo nuk ka mundesi! Lulzim Basha njihet per nje njeri te fjales qe nuk ben gjera me te futur. Hahah! Cfare hilariteti! Nuk paska pasur politikan me te shitur dhe te pa afte ne historine 30 vjecare te Shqiperise, dhe politikane te pa afte kemi pasur me thase!

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme